Vendimi nr.10, datë 10.08.1993

Organizata Politike

(V – 10/93)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga: Rustem Gjata, Kryetar, Feti Gjilani, zv/kryetar dhe gjyqtarët Manol Konomi, Hilmi Dakli, Veli Budo, Franc Jakova, Natasha Sheshi, Thimjo Kondi, Ylvi Myrtja – relator i çështjes,

(…)

në datat 09.08.1993 dhe 10.08.1993, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE, me objekt: “Kërkohet të shpallet antikushtetues Vendimi datë 30.07.1993 i prokurorit të rrethit Tiranë për arrestimin e deputetit Fatos Nano”.

(…)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi:

“Rrëzimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me objekt që të shpallet antikushtetues vendimi datë 30.07.1993 i prokurorit të rrethit të Tiranës për arrestimin e deputetit Fatos Nano”.

(…)

Duke arsyetuar:

Prookurori i Përgjithshëm, me shkresën e tij nr.1117, datë 26.07.1993, i ka kërkuar Kuvendit Popullor që, në bazë të nenit 22, paragrafi 3, të ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, të japë pëlqimin për ndjekjen penale ndaj deputetit Fatos Nano, sepse ka të dhëna që ai të akuzohet për krimet e shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit, të parashikuar përkatësisht nga nenet 106 e 110 të Kodit Penal.

Me Vendimin nr.246, datë 27.07.1993, Kuvendi Popullor ka vendosur që t’i hiqet imuniteti deputetit Fatos Nano, duke autorizuar kështu ndjekjen penale ndaj tij.

Mbi këtë bazë Prokurori i Rrethit të Tiranës ka miratuar vendimin datë 30.07.1993 të hetuesit të çështjes për arrestimin e deputetit Fatos Nano.

Kopjet e secilit nga të tre dokumentet e lartpërmendur, që janë të njëjta me origjinalin përkatës, ndodhen të bashkëlidhura me aktet e kësaj çështje.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste legjitimohet proceduralisht në paraqitjen e kërkesës për shqyrtimin e kësaj çështje jo vetëm sepse, në bazë të nenit 25 të ligjit kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992, çdo grup parlamentar është një ndër subjektet që kanë të drejtë të kërkojnë fillimin e procedurës përkatëse në Gjykatën Kushtetuese, por edhe sepse në këtë akt procedural konkret kërkohet para së gjithash që, në funksion direkt të objektit të shprehur, të bëhet interpretimi zyrtar i nenit 22 të ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Pikërisht nga ky interpretim zyrtar, qëështë një kompetencë themelore e funksionale e kësaj Gjykate, do të përcaktohet si rrjedhojë e natyrshme nëse vendimi datë 30.07.1993 i Prokurorit të Rrethit të Tiranës është ose jo antikushtetues.

Shqyrtimi i përmbajtjes së nenit 22, paragrafi i tretë, të ligjit kushtetues të lartpërmendur si edhe i dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, që rregullojnë fazat e para të procesit hetimor, nxjerr qartë në pah se, kur Kuvendi Popullor ka dhënë autorizimin për procedimin penal të një deputeti, nuk është e nevojshme që Prokurori i Përgjithshëm të kërkojë më vonë që ky organ përfaqësues t’i japë autorizim të veçantë edhe për kryerjen e kontrollit vetiak ose të banesës e pastaj për arrestimin e po atij deputeti. Kjo nevojë përjashtohet, sepse kryerja e kontrolleve dhe zgjedhja e caktimi i masës përkatëse të sigurimit edhe ndaj një të pandehuri të tillë janë elementë përbërës e organikë të vetë procedimit penal si institut juridik themelor e kompleks i kësaj dege të veçantë të legjislacionit në fuqi.

Pra, edhe arrestimi i deputetit të pandehur, për të cilin është dhënë paraprakisht pëlqimi që t’i hiqet imuniteti e të procedohet penalisht, përbën një veprim procedural, i cili përfshihet në strukturën dhe ecurinë e procesit penal.

Në kuptim të nenit 22, paragrafi 3, të ligjit kushtetues nr.7491, datë 29.04.1991, pëlqimi i veçantë i Kuvendit Popullor për kontrollin vetiak ose të banesës së deputetit, për ndalimin ose arrestimin e tij kërkohet domosdoshmërisht në rastet kur ndonjëri nga këto veprime do të kryhet pa qenë dhënë në mënyrë paraprake autorizim për ta ndjekur penalisht atë deputet. Moslejimi kategorik i kontrollit, i ndalimit ose i arrestimit të deputetit, pa pëlqimin paraprak të Kuvendit Popullor, është një nga mjetet juridiko-kushtetuese, që garantojnë paprekshmërinë e çdo deputeti, duke synuar t’i sigurojnë atij pavarësinë dhe sigurinë e nevojshme për të kryer misionin e vet. Por ky rregull, sikurse rezulton nga interpretimi logjik e sistematik i paragrafit 3 të nenit 22 të ligjit kushtetues të lartpërmendur, nuk zbatohet vetëm në këto dy raste përjashtimore: a) kur Kuvendi Popullor ka dhënë paraprakisht autorizimin për procedimin penal të atij deputeti; b) vetëm përsa i përket masës së ndalimit, kur deputeti kapet në kushtet e kryerjes së një krimi flagrant e të rëndë.

Arsyet e shtjelluara më lart e bëjnë të papranueshëm interpretimin e dispozitës kushtetuese të lartpërmendur, që është parashikuar në këtë kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, sipas të cilit: “Kuvendi Popullor duhet të japë pëlqimin e tij veças për kontrollin, ndalimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të deputetit…, ndërsa në rastin konkret pëlqimi është dhënë vetëm për t’u ndjekur penalisht ky deputet”.

Arrestimi, duke qenë një nga llojet e sistemit të masave të sigurimit nuk cënon aspak parimin e prezumimit të pafajësisë, që është sanksionuar edhe në legjislacionin tonë kushtetues si një ndër të drejtat themelore të njeriut.

Përfundimisht, Gjykata çmon se akti i marrjes së masës së arrestit nga organi kompetent është në pajtim me përmbajtjen e vendimit të lartpërmendur të Kuvendit Popullor për heqjen e imunitetit dhe lejimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Fatos Nano.

(…)

(V – GjK – 10/93 – FZ.11/93, fq.743-745)

2 e pelqejne kete postim.