Qindra metra katrorë hapësirë publike, për mijëra thasë miell, për dhjetëra mijëra vota

/Xhuliano Bregasi/

Unaza e Madhe e Tiranës është shumë e rëndësishme për kryeqytetin sepse lehtëson ndjeshëm trafikun në pjesën e brendshme të tij, si dhe shkurton rrugë e kohë për ata që nuk kanë punë brenda në qytet. Po përveç kësaj rëndësie, ky segment rruge lidhet veçanërisht me padrejtësi të mëdha shoqërore, premtime të pambajtura e punime që nuk përfundojnë kurrë, për të mos përmendur vjedhjet e hatashme të parave publike e hapësirave të përbashkëta. Disa qindra metra rrugë nga Fabrika e Miellit te Kopshti Zoologjik duhet të përfundonin në fund të vitit 2016, por kryebashkiaku i Tiranës, me entuziazmin e tij prej mashtruesi të pashembullt, garantoi se punimet mund të përfundonin që në verën e atij viti duke parë ritmin e lartë të tyre. Jemi në verën e një viti më pas dhe ky segment nuk ka ndërmend të përfundojë.

Justifikimi për vonesat është falimentimi i njërës prej kompanive ndërtuese, “Albavia”, e cila kishte fituar tenderin për ndërtimin e një pjese të këtij segmenti. Afërmendsh, bashkia, qeveria dhe autoritetet e tjera shtetërore duhet t’i kërkonin llogari kësaj kompanie, t’i konfiskonin makineritë apo pasuritë e tjera që mund të ketë pronari/pronarët, në mënyrë që të siguroheshin paratë për të vazhduar punimet. Përkundër kësaj, kompania në fjalë është duke vazhduar punimet në një segment tjetër të Unazës së Madhe, përtej TEG-ut, pjesë për të cilën nuk është bërë as tender e as janë xhiruar fonde. Kushdo që mendon se janë duke bërë investim publik me paratë e tyre, e ka gabim: janë duke e bërë faktik investimin që, kur të vijë momenti i ndarjes së fondeve, të jetë faktike edhe marrja e tyre. Një shtet serioz jo vetëm nuk do iu jepte kokërr leku për një punë që po e bëjnë me mendjen e tyre, por do t’iu merrte çdo qindarkë për dëmin e shkaktuar në segmentin tjetër ku kanë shpallur falimentin dhe kanë braktisur punimet.

Poshtërsia më e madhe në lidhje me këtë projekt ka të bëjë me largimin përdhuni nga banesat e tyre të komunitetit rom dhe egjiptian të Selitës. Edhe pse ishin prej dhjetëra vitesh aty, ku kishin banesat mjerane dhe vendin e punës sa për mbijetesë, fadromat e pushtetit ua rrëzua banesat dhe të ardhmen. Fadromat e të njëjtit pushtet që nuk lë rast pa propaganduar me të madhe sikur nuk i zë gjumi për këtë komunitet. Tragjikja e komunitetit rom dhe egjiptian shtohet nëse shikon me vëmendje se çfarë bëhet pak metra më larg nga aty.

Imazhi: Prima

Foto 1: Oborri i Fabrikës së Miellit përpara së të bëheshin punime dhe të ndërtohej mbikalimi.

Ngjitur me mbikalimin e Unazës së Madhe pranë Pallatit me Shigjeta, ndodhet Fabrika e Miellit. Kjo fabrikë ka pasur një oborr jo shumë të madh, oborr që gati u dyfishua pas ndërtimit të mbikalimit në fjalë, ndërkohë që trotuari i rrugës ka përfunduar aq i ngushtë sa më vështirësi shkëmbehen dy vetë. Meqenëse prej vitesh më ka rënë të kaloj shpesh në atë rrugë, fillimisht nuk po arrija të kuptoja se çfarë kishte ndodhur: rruga e makinave ishte ngushtuar me një korsi, ndërsa trotuari ishte më shumë se i përgjysmuar. E kam parë me vëmendje për ditë me radhë dhe arrija të kuptoja se çfarë kishin pasur në mendje projektuesit e mbikalimit. Duke e krahasuar me foto të Fabrikës së Miellit para se të ndërtohej mbikalimi, hileja ishte e qartë: një pjesë të rrugës dhe të trotuarit ia kishin falur një biznesi privat, duke vështirësuar kalimin e makinave e mbi të gjitha duke rrezikuar jetën e këmbësorëve që janë të detyruar të kalojnë edhe jashtë trotuarit. Rrethimi i oborrit të shtuar dyfish u bë me urgjencë, edhe pse vazhdon të jetë ende i parregulluar dhe dallohen qartë shenjat e rrugës së asfaltuar që ka ekzistuar vetëm pak muaj më parë.

Foto 2: Pjesë nga ish-rruga/trotuari, të cilat tashmë ndodhen brenda oborrit të Fabrikës së Miellit.

Po çfarë arrijmë të kuptojmë duke krahasuar përzënien e romëve nga banesat e tyre dhe faljen e pasurisë së përbashkët një biznesi privat?

Së pari, shprehja e famshme liberale me shenjtërinë e pronës është një pallavër. “E shenjtë” është prona e kapitalistit, biznesmenit të madh, oligarkut dhe klientit të pushtetit. Prona e popullit të thjeshtë, aq më tepër nëse është pjesë e një komuniteti të nëpërkëmbur, është e shenjtë, ama jo për atë: është e shenjtë për ata që ia marrin përdhuni dhe padrejtësisht!

Foto 3: Pjesë nga ish-rruga/trotuari, si dhe trotuari aktual më pas sesa një metër gjerësi.

Së dyti, siç shprehej Marksi rreth një shekull e gjysmë më parë: “Prona private na ka bërë kaq budallenj dhe të njëanshëm, saqë ndonjë send është i yni vetëm kur ne e zotërojmë, d.m.th kur ai ekziston për ne si kapital ose kur ne e zotërojmë drejtpërsëdrejti, kur e hamë, e pijmë, e mbajmë me vete, banojmë në të etj.” Në këtë kuptim, shumë pak qytetarë u solidarizuan me komunitetin rom dhe egjiptian kur i përzunë nga banesat sepse e mendonin si diçka që nuk i prekte/dëmtonte ata direkt. Nuk iu interesonte. Nga ana tjetër, edhe tani që rruga e trotuari janë shndërruar në oborr biznesi privat, përsëri nuk ka reagim sepse rruga e trotuari nuk shihen si pronë private, personale, e cila i takon posaçërisht dikujt e sjell fitim, por si mall pa zot, për të cilin nuk ia vlen të reagojmë për aq kohë sa nuk na përket posaçërisht ne.

Së treti, prona private e kapitalistëve është shumë më e shenjtë edhe se jeta e qytetarëve të thjeshtë, përderisa këtyre të fundit ua merr trotuarit dhe i nxjerr në rrugë të madhe. E kundërta do duhej të ndodhte!

Foto 4: Shenjat e qarta të ish-rrugës/trotuarit brenda oborrit të Fabrikës së Miellit.

Së katërti, jemi në kohë fushate elektorale, ku njëra prej metodave më të famshme të blerjes së votave të qytetarëve që janë më së shumti në vështirësi ekonomike është thesi i miellit. Jo më kot pushtetarët edhe ia kanë dhënë kësaj fabrike qindra metra katrorë rrugë e trotuar, të cilat kanë një vlerë shumë të lartë krahasuar me çmimin e tregut. Ama thesi i miellit përfundon maksimumi në fund të muajit. Trotuari nuk kthehet më me përfundimin e thesit. Prandaj duhet refuzuar thesi i miellit e mbi të gjitha vota për ata që na i kanë pamundësuar kotheren e bukës. Duhet të organizohemi për ta marrë me dinjitet bukën, punën, trotuarin dhe çdo pasuri të përbashkët që na përket.

Deri atëherë, sabotim bandave partiake dhe bojkot farsës zgjedhore mes maskarenjve!

Imazhi në krye: Sander Spolspoel / Flickr

7 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *