Që natën puna ta bëjë dritë

/Klodi Leka/

Një nga klishetë më të shpërdoruara këtejpari është pohimi i rëndomtë se shqiptarët janë popull që nuk e duan punën, pra janë përtacë.  Prej do kohësh, përpunuesi kryesor i kësaj gënjeshtre ideologjike është kryeministri Rama, që në asnjë takim me biznesmenë nuk harron të theksojë se:

“Këtu puna konsiderohet një Babagjysh i Vitit të Ri, që duhet të vijë në shtëpi, duhet të trokasi, duhet të vijë te krevati, duhet të thotë: zgjohu se erdha, hajde ikim bashkë tashti, të të tregoj se ku jam! Dhe ti t’i thuash: Ik ti përpara, se unë do zbres poshtë, do pi kafe edhe do shof Facebook se çfarë ka bërë qeveria dje.”

Por përveç tij dhe kapitalistëve, siç janë kreu i dhomës së tregtisë Jaka apo oligarku Mane që ka vënë nën pronësi gjysmën e ekonomisë, të cilët duan të rikthejnë dëshirën dhe dashurinë për punë, kjo rrenë konsumohet ironikisht edhe prej vetë “dembelëve”, popullit, që duke e çuar më tej klishenë, adhurojnë gjermanet për disiplinën, punën dhe pasurinë, aq sa ngarkojnë rreckat me fëmijët në kurriz dhe me qindra e mijëra kërkojnë azil atje.

Sipas një studimi të Organizatës për Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me Institutin e Statistikave, rezulton se “shqiptarët dembelë” punojnë rreth 2230 orë në vit, të parët në Evropë, ndërsa gjermanët, paradoksalisht, vetëm 1371 orë.

Burimi: OECD dhe INSTAT

Po sipas këtij studimi, paçka se në punë jemi më të robtuarit, rritja e të ardhurave për punëtorinë tonë, në raport me mesataren e shteteve të zhvilluara të Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë në stanjacion, të mos lëvizë asnjë qindarkë prej katër vitesh, përkundër rritjes së vendeve fqinje ballkanike.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kapitalistët, të cilët, pavarësisht varfërimit të popullatës, vazhdojnë ta rrisin pasurinë e tyre. Në këto katër vite, ekonomia është rritur në nivelet 3-4%, tregtia e jashtme është rritur me 5% dhe numri i ndërmarrjeve eksportuese me 7.2%, rritje e mundësuar kryesisht nga fasonierët dhe mineraret, që edhe pse ankohen me të madhe për më tepër lehtësira dhe i shfrytëzojnë maksimalisht punëtorët, po jetojnë kohë të lumtura fitimesh.

Rritja ekonomike po kthehet në rritje të mëtejshme të pabarazisë socio-ekonomike, dhe ata që kanë përjetuar rritje, janë më të pasurit e vendeve të varfra — shprehen përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare në Tiranë. Ky paradoks nuk është i panatyrshëm, por shprehje e natyrës së ekonomisë në kapitalizëm. Punët i bën shumica, fitimet i gëzon pakica.

Pagat janë një tjetër problem. Paga minimale vazhdon të mbetet e mjerueshme. Sipas studimit të Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, 22% e punëtorëve paguhen deri në 20 mijë lekë, 39% deri në 30 mijë lekë dhe vetëm 15% e tyre deri në 40 mijë lekë. 58% e punëtorëve i konsiderojnë të pamjaftueshme të ardhurat e siguruara nga paga [*].

 

Si i vlerësoni të ardhurat personale? IKESH (2017) — Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri II.

Së fundmi, qeveria vendosi ta rrisë nga 22 mijë në 24 mijë lekë pagën minimale – por ka interpretime sipas të cilave më shumë se rritje page, kjo është rritje takse. Pa iu hyrë kalkulimeve statistikore, ngrihet pyetja e thjeshtë: Çfarë mund të bëjnë 100 mijë punëtorë me 200 mijë lekë të vjetra në muaj?! Situata e pagës me gjasë do vazhdojë të mbetet mjerane.

Qeveria zotohet se në mandatin e dytë do ta çojë në 300 mijë lekë pagën minimale, çka vështirë të besohet duke gjykuar aktualitetin neoliberal të saj, por prapë, kjo rritje është jo-kush-e-di-se-çfarë në raport me çmimet dhe ngritjen artificiale të nivelit të jetesës.

Paga nuk është vetëm çështje konsumi, çka e bën skandaloze, por edhe vizioni. Në pagë shprehet pabarazia konfliktuale midis djersës së punëtorit dhe majmjes së kapitalistit. Paga, po kështu, shpreh edhe pabarazinë midis vetë punëtorëve, si për shembull mbi baza gjinie, ku për të njëjtën punë burrat paguhen 10% më shumë se gratë, apo ku ka një diferencë prej 15% në favor të burrave në punësim.

Paga është edhe çështje shprese. Një mendimtar latin, të cilit për dreq nuk ia kujtoj dot emrin, thotë se një shoqëri që ka humbur besimin te puna e ndershme është një shoqëri në depresion, në prag të rrënimitVetëm në vitin 2015, 66 mijë qytetarë shqiptarë kanë kërkuar azil në hapësirën evropiane, 82% e të cilëve në Gjermani, të dytët pas popujve në luftë, me arsyetimin folk  të djersës që nuk derdhet kot dhe që krijon një jetë dinjitoze. Paga po na shpopullon.

Sipas filozofit francez Lui Altuser, që një sistem shoqëror të mundësojë ekzistencën e tij, nevojitet jo vetëm të prodhojë, por edhe të riprodhojë kushtet e prodhimit, Kjo ka për mekanizëm kryesor pagën, e kryesisht atë minimale:

Paga minimale është dy herë historike në atë që nuk përcaktohet prej nevojave historike të klasës punëtore “të njohura” nga klasa kapitaliste, por nga nevojat historike të imponuara nga lufta e klasës proletare (një luftë klasore e dyfishtë: kundër zgjatjes së ditës së punës dhe kundër uljes së pagave). – Luis Altuser [**]

Pra, aktualisht, me pagën minimale kapitalistët nuk njohin nevojat reale jetësore të punëtorisë, si nevoja për ushqyerje të mjaftë, për banesë komode, arsim cilësor, kursime dhe kulturë – në të kundërt nuk do të ishte një dyqind mijë lekësh i qelbur – por mbulimin e bukës dhe rrobës, çka sipas autorit, do e detyronte punëtorin të paraqitej te dera e fabrikës gjer në ditën e fundit të jetës.

Së dyti, historike, pasi paga aktuale shpreh edhe dobësinë organizative të punëtorisë, të çorganizuar e të tradhtuar prej sindikatave apo prej një klase politike që me politikat e saj ekonomike ka ndërtuar një republikë kapitaliste bananesh dhe mburret ndërkombëtarisht me krahun e lirë të punës dhe moskokëçarjet sindikale a majtisto-radikale.

Së fundmi, që në vendin tonë të rindërtohet shpresa për një jetë dinjitoze, duhen rikonceptuar rrënjësisht paga dhe marrëdhëniet në punë, çka nuk mund të arrihet ndryshe veçse me organizim sindikal dhe luftë politike. E për t’i rikonceptuar ato nuk mjaftojnë lojërat me kompensimet e vogla financiaro-burokratike, siç bëjnë rëndomë thërduejtistët tanë, por rivlerësimi i punës si burim i mirëqenies dhe i një shoqërie të drejtë.


Imazhi: Organizata Politike


Referenca: 

  1. Të mendosh si Rama: shqiptarët janë dembelë
  2. Ngec dukshëm Shqipëria, i gjithë rajoni na e kalon në rritjen e mirëqenies, në raport me mesataren e BE-së
  3. Tregtia e jashtme e mallrave sipas karakteristikave të ndërmarrjeve
  4. BERZH: Pabarazia në Shqipëri u rrit
  5. Pagat dhe Kosto e Punës
  6. Femra dhe Meshkuj në Shqipëri 2015
  7. Paga minimale, rritje taksash pa rritje page
  8. * Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (2017), “Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri II”
  9. Open Data Albania: Shqiptarët që kërkojnë azil, të dytët në numër pas Sirianëve
  10. ** Luis Altuser (1970), “Ideologjia dhe aparatet shtetërore ideologjike”
8 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *