Pse fitoi Partia Socialiste?

/Arlind Qori/ 

Ka kohë që në shqipe emrat e partive jepen si akronime. Jo vetëm për lakonizëm, por mbi të gjitha sepse partitë e kanë humbur prej kohësh raportin me domethënien e emrave të tyre. Zor se ka njeri që mendon se ka mbetur gjë prej idealeve socialiste brenda Partisë Socialiste apo praktikës demokratike brenda Partisë Demokratike. Sa për t’i dalluar nga njëra-tjetra, si të ishin prefikse numëratorësh telefonikë, mjaftojnë akronimet PS, PD etj. Për ta problematizuar dallimin midis domethënies së emrit dhe praktikës së partisë, vendosa që në titull dhe gjatë artikullit të përdor më shpesh se zakonisht emrat e plotë të partive.

S’ka gjykim pa kuptim

Si aktivist, bashkë me të shumtë si vetja, jam vendosur në një pozicion politik rreptësisht antagonist ndaj mënyrës së qeverisjes së Partisë Socialiste. Ndaj fitorja e saj në zgjedhje është, më së paku, e pakëndshme. Ndonëse ndryshe nga të tjerë që shpejtojnë të çmeriten apo t’i hakërrehen votuesve për këtë fitore, mendoj se detyra e intelektualit dhe e aktivistit është që të mendojë për arsyet e saj. Të gjykuarit moral, pa tentativë serioze kuptimore (shpjeguese), është abstraktisht i padobishëm; madje paralizues.

Si mundi t’i fitojë zgjedhjet një parti që në katër vitet e qeverisjes së saj ka kryer reforma që kanë pasur për synim goditjen e klasave të nënrenditura të shoqërisë, një parti që për skandale korruptive nuk u ka lënë gjë mangët paraardhëseve të saj, në mos më keq? Gabimi më i shpeshtë i moralizuesve është që mendojnë se masa e njerëzve votojnë duke pasur si busull indinjatën morale. Për ta, do të mjaftonte që një qeveri të përflitej në mënyrë të besueshme për afera korruptive dhe njerëzit, si qytetarë të virtytshëm, do ta ndëshkonin me votë. Kjo në fakt ka qenë ëndrra ideologjike liberale kahmoti. Mirëpo që kjo të ndodhë, qytetarët nuk mund të jenë të ndarë në klasa, por do të duhej t’i përkisnin të gjithë një klase të mesme imagjinare që, e sigurt për jetesën e saj imediate, ka privilegjin të indinjohet moralisht. Të ishte kështu, në historinë bashkëkohore çdo vend do të kishte maksimumi një qeveri të korruptuar e cila, pasi të dënohej masivisht me vota, do të shërbente si shembull negativ për pasardhëset. Ja që punët nuk shkojnë kështu.

Pësimi nga reformat: kur, kush, si?

Për të kuptuar arsyet e fitores së Partisë Socialiste, duhet të mendojmë rreth efekteve të reformave të saj në shoqëri. Si shumë të tjerë e kam kritikuar fort qeverinë e saj për reformat me karakter neoliberal (trajtë e këtyre dekadave të fundit të kapitalizmit shtazarak). Po një gjë është të kritikosh reformat në formën që marrin dhe një tjetër t’i shohësh ato në tërësinë e tyre, ku futen forcat e fërkimit në realizimin e tyre, inercia burokratike apo taktikat e qeverisë në kohëzgjatjen dhe diferencimin e efekteve të tyre në shoqëri.

Marrim rastin e reformës në arsimin e lartë. Ashiqare ajo ka synuar privilegjimin e universiteteve private duke u akorduar fonde nga buxheti i shtetit, çka logjikisht do të sillte, ndër të tjera, edhe rritjen e tarifave për studentët e universiteteve publike. Porse, ndonëse ligji është miratuar që në shtator 2015, efektet e tij financiare nuk kanë hyrë akoma në fuqi. Qeveria, a me qëllim paraelektoral a për shkak të inercisë burokratike, ende nuk e ka përfunduar procesin e hartimit të të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e kësaj pjese delikate të ligjit. Çka ka dashur të thotë se pas rritjes së fundit më 2014, tarifat e studimeve në universitetet publike nuk janë rritur. Do të rriten medoemos në vitet në vijim, por ndërkohë zgjedhjet u mbajtën më qershor të këtij viti.

Aty ku reformat kanë pasur efekte të drejtpërdrejta, pakënaqësia ndaj tyre nuk ka pasur medoemos ndikim elektoral. Sjellim ndër mend reformën në sektorin e energjisë elektrike. Për shkak të represionit administrativo-policor, pagueshmëria e energjisë elektrike është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kjo ka dashur të thotë se të varfrit, sidomos të këputurit fare, që deri dje përfitonin nga mbyllja e syrit të shtetit për t’u ngrohur e ndezur llambat, sot janë pa energji elektrike. Ca prej tyre janë në burgje për tentativë rilidhjeje të paligjshme energjie. Të tjerët, që ta paguajnë atë pak energji të cilës i është rritur çmimi, duhet të heqin dorë nga plotësimi i të tjera nevojave bazike. Mirëpo pakënaqësia e tyre nuk është përkthyer në efekt elektoral. Pikësëpari, për arsye historike që mund të trajtohen gjerë e gjatë herë tjetër, shumica e të varfërve të tillë janë votues tradicionalë të PD. E kam fjalën kryesisht për banorët e periferive të qyteteve të mëdha si Tirana dhe Durrësi. Çfarëdo të bënte me ta, qeveria e ka ditur që ata kanë qenë votues të parikuperueshëm. Nga ana tjetër, ajo u ka fryrë ndasive midis të varfërve duke u kundërvënë pensionistët (pagues të rregullt të energjisë elektrike) punëtorëve me mëditje të periferive. Kështu që kontradikta ka reshtur së artikuluari në terma klasorë (të pasur dhe të varfër) apo populistë (qeveri dhe popull) dhe ka marrë trajtën e ndërgjegjes së rreme ideologjike (të varfër që janë në rregull me ligjin dhe të varfër që janë jashtë ligjit).

Të varfrit e periferive, nga ana tjetër, si rezultat i dëshpërimit social dhe mungesës së organizimit që vjen nga jeta prej plebeu (i varfër pa punë apo me punë të paqëndrueshme), janë subjekte më të prekshme nga tëhuajësimi politik. Kushtet e jetesës i bëjnë më të prirë të tjetërsojnë votën – ta shesin apo premtojnë për shkak të presionit apo ndërhyrjeve. Dihet që partitë qeveritare janë në pozitë më të favorshme për të përfituar nga vota e tjetërsuar. Kështu që, paradoksalisht në dukje, ata që e kanë pësuar më fort nga reformat kanë qenë më të kapshëm elektoralisht prej partive qeveritare.

Reformat qeveritare i kanë pasur efektet e tyre edhe të padukshme. Marrim rastin e koncesioneve në mjekësi: check-up falas apo hemodializa. Është lehtësisht e besueshme se të tilla koncesione u janë dhënë ortakëve të qeveritarëve, ashtu siç mund të mendohet kollaj që një prej efekteve të transferimit të këtyre shërbimeve në institucione private është dobësimi i spitaleve publike. Po për qytetarin e thjeshtë, këto probleme janë të padukshme ose abstrakte. Ai vetë ka mundësi të përfitojë shërbim falas ose me çmim që do ta paguante edhe pa futjen e kësaj praktike koncesionare. I neveritur për vite nga abuzimet në shëndetësinë publike, është e vështirë që këtij qytetari t’i kërkojmë të mendojë për përmirësimin e shëndetësisë publike. Pikërisht prej zhgënjimit dhe dëshpërimit masiv, qeveria e ka pasur të lehtë të investohet në praktika shumë të dyshimta koncesionare, efektet e të cilave do t’i ndjejë shumëkush me kalimin e kohës.

Qetësia përpara stuhisë: paqja e brishtë sociale

Sa më sipër shpjegojnë deri diku edhe paqen relative sociale të këtyre viteve. Kur them paqe sociale, po u referohem standardeve minimale që shumëkujt ia heqin nga mendja rezistencën aktive ndaj qeverisë dhe sistemit politik në tërësi. Paqen sociale e kanë ndihmuar edhe tolerimi ose nxitja e disa formave paligjshmërie, që i kanë mundësuar një pjese të popullsisë, sidomos të varfërve, të mbijetojnë shoqërisht. Rasti më i rëndësishëm është ai i përhapjes së kultivimit të kanabisit. Prej tij nuk përfitojnë vetëm ndërmjetësit (trafikantët) apo burokracia e korruptuar policore, por edhe një masë fshatarësh, përndryshe e papunë ose e nënpunësuar në fshat. Ka pasur të dhëna gjithashtu se prej kultivimit në masë të hashashit edhe ish-fshatarë të migruar prej vitesh në qytete u janë rikthyer tokave të vjetra, të lëna djerrë deri vonë për shkak të vështirësive të mëdha të prodhimit bujqësor me rendiment, pikërisht për të mbjellë hashash. Ilegaliteti ndërkombëtar dhe kushtet e favorshme klimatike të mbjelljes së hashashit i vendosin ata që merren me këtë punë në pozitë të favorshme ekonomike.

Në këtë kuadër, në muajt e fundit përpara zgjedhjeve u vu re tërheqja e autoriteteve bashkiake (sidomos në Tiranë) nga praktikat represive kundër shitësve të vegjël në rrugë. Nëse për një vit e ca, sekuestrimi i mallit apo gjobat kishin nxitur reagime edhe të dhunshme prej tyre, muajt e fundit trotuaret u populluan sërish me fshatarë që shisnin produktet e pakta bujqësore ose shitës të ndryshëm ambulantë.

Në afat më të gjatë se kaq, qeveria ka ndërtuar një strategji investimesh në infrastrukturën ekonomike e sociale që synon shtyrjen e efekteve të krizës për më vonë. I famshmi projekt “1 miliard euro” nuk është gjë tjetër veçse thellim i partneriteteve të dyshimta publike-private, ku kompanive do t’u kërkohet ndërtimi me paratë e tyre i rrugëve, spitaleve apo shkollave, në këmbim të premtimit se qeveria do t’ua njohë si borxh dhe do t’ua shlyejë me këste në të ardhmen. Sigurisht që kjo është një formë e rritjes së fshehtë të borxhit publik, që tregon dështimin e qeverisë në politikat tatimore që do t’i mundësonin investime publike nga buxheti i shtetit. Po ashtu, një masë e tillë u leverdis kompanive private të cilat, prej hiçit, do të kenë të sigurt kërkesën për mallrat ose shërbimet e tyre, për të mos folur pastaj për hapësirën e gjerë të abuzimeve që do të krijohet prej marrëveshjeve të tilla. Shteti roje nate është përrallë që rrëfehej kur kapitalizmi ishte në fillesat e tij. Sot është më se e qartë se shteti i shërben kapitalit duke i futur duart në ekonomi ose, më saktë, duke e furnizuar me duart e veta kapitalin me kërkesë efektive dhe para.

Sipas të njëjtës logjikë, komercializimi i të mirave publike si hapësirat urbane, sheshet, lumenjtë etj., përveç efekteve katastrofike në jetën urbane apo mjedis, i ndihmojnë ruajtjes hë për hë të paqes sociale. Mbushjen e buxhetit të shtetit që deri dje qeveritë e garantonin duke privatizuar ndërmarrjet publike, sot, pasi pak gjë ka mbetur pa privatizuar, e realizojnë përmes dhënies me koncesion të burimeve natyrore si lumenjtë për hidrocentrale private dhe dhënies së parqeve e hapësirave të pazëna urbane për pallate të larta, hotele e qendra tregtare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës përmend shpesh taksimin disamilionëeurosh si arsye për dhënien e dhjetëra lejeve të ndërtimit, paçka se kuptohet kollaj se në një vendbanim kaq të dendur si Tirana kjo do të thotë se qyteti bëhet gjithnjë e më i pajetueshëm. Taksimi i kapitalit në këtë rast nuk ka pse të hasë rezistencën e pronarëve të tij. Ndryshe nga kundërshtimi i tyre ndaj taksimit në sipërmarrjet prodhuese ose të stabilizuara në kohë, ku ndërhyrja e autoriteteve shtetërore konsiderohet si kosto e pajustifikueshme, dhënia e koncesioneve ose lejeve të ndërtimit do të thotë që për ta krijohet prej hiçit mundësia e fitimit të sigurt dhe të madh. Me vendim institucionesh shtetërore ata vendosen në pozitë të lakmueshme monopoliste, në këmbim të të cilës nuk e kanë problem të paguajnë aq taksa sa t’i mundësojnë qeverisë qendrore ose lokale të vazhdojnë edhe për pak kohë të ofrojnë ca shërbime sociale bazike.

Nga gjithë ç’u tha deri më tash, mund të dilet në përfundimin se, ndonëse kanë pasur efekt të hëpërhëshëm për të kaluar lumin elektoral, masa të tilla do ta sjellin qeverinë të përplaset herët a vonë me shumicën e popullsisë. Një ekonomi spekulative dhe ilegale, ku pensionet jepen se ka akoma parqe për të shkatërruar apo fshatarët nuk shkojnë në zgrip se mund të mbjellin hashash, e ka rrugën e shkurtër.

Mobilizimi i të vetëve

Marrja e pothuajse të njëjtit numri votash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, në kushtet e uljes së ndjeshme të pjesëmarrjes në votime, ka qenë arsyeja imediate e fitores së zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Shumëkush mendon se votat e munguara janë pothuajse të gjitha të qytetarëve që tradicionalisht kanë mbështetur PD, por deri më sot nuk kemi asnjë studim që tregon se kush ka bojkotuar dhe pse. Sidoqoftë mund të hamendësohet me njëfarë sigurie se Partia Socialiste ia ka dalë të rimarrë votat e një pjese të konsiderueshme të atyre që e kanë votuar katër vjet më parë.

Përpara se të shtrojmë pyetjen pse, duhet të themi se “hambari” tradicional i votave të Partisë Socialiste është më i madh sesa ai i partive rivale. Arsyeja kryesore e saj është raporti që votuesit dhe familjet e tyre kanë me përvojën e socializmit despotiko-burokratik dhe me vitet e para të kapitalizmit. Ndonëse është e vështirë për t’u gëlltitur moralisht kur marrim parasysh karakterin represiv të regjimit të shkuar, numri i njerëzve që e shohin të shkuarën socialiste në dritë më shumë pozitive se negative është më i madh se i të anasjelltëve. Mobiliteti i madh social i periudhës socialiste (kalimi nga fshatar në punëtor qyteti ose inteligjencie profesionale) e vë në hije numerike pakënaqësinë e thellë të atyre që humbën gjithçka. Në kushtet ku në çerekshekullin e fundit partitë sistemore nuk u kanë bërë thirrje ndarjeve klasore të sotme, por i kanë fryrë zjarrit të ndarjeve të vjetra (çfarë ke qenë përpara socializmit dhe gjatë tij?), nuk është e çuditshme që, pavarësisht pozicionit të tashëm klasor, njerëzit t’i ndërtojnë identitetet e tyre politike në raport me të shkuarën. Sigurisht që një parti e kredhur kokë e këmbë në detin e kapitalizmit më agresiv, si Partia Socialiste, nuk mund të identifikohej hapur me pjesën më të madhe të elementëve të regjimit të shkuar. Por tërthorazi ajo u ka dhënë mesazh ndjekësve të saj se deri diku është vazhduesja e një tradite politike që lind me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, vazhdon me disa nga arritjet sociale të kohës së socializmit si shëndetësia dhe arsimi dhe përfundon si versioni me kollare i kapitalizmit shtazarak të pas 1992-shit. Kjo shpjegon edhe mënyrën se si përfaqësuesit e kësaj partie – pjesë ose mbrojtës të interesave të borgjezisë së lartë shqiptare aktuale – u hyjnë debateve të zjarrta mbi karakterin e LANÇ-it apo nuk lënë fshat e qytezë pa u bërë nderimin formal kujtimit të ish-partizanëve. Edhe në fushatën e fundit zgjedhore, Edi Rama vetëparaqitej si shkatërrimtari i një tradite obskurantiste 25-vjeçare, jo 75-vjeçare apo 105-vjeçare, duke folur për “shtet, rend, administratë e pakompromentuar”, tipare që sidomos për votuesit mbi 50-vjeçarë evokojnë socializmin e të shkuarës. (Jo më kot në disa të dhëna që lexova informalisht nga exit poll-i i IPR Marketing-ut rezultonte se përqindjen më të madhe të votave Partia Socialiste e kishte fituar pikërisht te votuesit mbi 50 vjeç).

Dhënia fund kaosit në emër të shtetit nuk ka prekur si ide vetëm votuesit tradicionalë të Partisë Socialiste, por edhe ato klasa apo grupe shoqërore që përfitojnë ekonomikisht ose emocionalisht nga vendosja e rregullit. Marrim rastin e zinxhirit të kioskave që janë hapur në Tiranë muajt e fundit. Pronarët e tyre kanë interesa të papajtueshme me shitësit e rrugës, të cilët janë larguar me forcë nga vendet afër kioskave. Po ashtu, në lagje të caktuara të Tiranës, sidomos aty ku niveli i jetesës i afrohet më shumë asaj të klasës së mesme profesionale, zënia e një pjese të trotuareve nga shitësit e produkteve të fshatit është parë gjithmonë vëngër. Kështu që aftësia taktike e qeverisë ka qenë shfrytëzimi dhe fryrja e antagonizmave të vogla midis popullit.

Nga ana tjetër, mesazhi i Ramës se Partia Socialiste e do timonin e qeverisjes vetëm për vete, që të ketë mundësi të ndërtojë një administratë publike më efiçente, duket se ka ngjitur. Lëvizja Socialiste për Integrim – gjatë dy mandateve të saj bashkëqeverisëse (2009-2013 me PD dhe 2013-2017 me PS) – ka krijuar përshtypjen e një force kryekëput klienteliste, që e kushtëzon qeverisjen me zaptimin e një pjese të zyrave të shtetit dhe abuzimin me detyrën. Nëse ka një parti që e përçmojnë të gjithë, ndoshta edhe një pjesë e votuesve të saj, ajo është LSI. Prania e saj u ka shërbyer partive të mëdha për të mimetizuar faktin që ato nuk sillen me shtetin më mirë se LSI. Mirëpo mospasja nga ana e LSI e një baze shoqërore përtej tarafeve dhe marrëdhënieve patronalo-klienteliste ka bërë që vetiu ata të konsiderohen thelbi i problemit. Çka do të thotë se në kushtet ku ishte e përhapur ideja se PS do të fitonte ose vetëm ose në koalicion me parti si LSI, në mënyrë cinike Rama e ndërtoi fushatën duke u thënë zgjedhësve nëpër rreshta: Nëse doni të hiqni qafe LSI, keni vetëm një alternativë praktike: mbyllni hundët dhe votoni PS!

Për t’i dhënë besueshmëri tezës se qeverisja e vetme e PS do të rrisë efiçencës e administratës publike, Rama ka evokuar herë pas here përvojën e qeverisjes së Bashkisë së Tiranës pas vitit 2000. Pavarësisht se ai dhe administrata e tij qenë përgjegjëse për hedhjen e themeleve të shkatërrimit të qytetit me sa e sa leje ndërtimi jashtë standardeve të mirëjetesës, në popull u krijua ideja se të paktën shërbimet e poshtme të bashkisë ishin efiçente. Kështu që po të shkoje në një zyrë të vogël për të marrë një vërtetim, do të gjeje përpara një nëpunëse të thjeshtë më të zonjën se më parë. Socialistët ndër vite e kanë ndërtuar ideologjikisht imazhin e vetes si “hajdutë të qytetëruar”; që sigurisht vjedhin si të gjithë të tjerët – se kjo është sistemore, me demek e pashmangshme etj. – ama punët e vogla i bëjnë më mirë se rivalët. Si çdo produkt ideologjik, më tepër se gënjeshtër e plotë, kjo ka qenë një e vërtetë e fryrë jashtë çdo përmase dhe e shkontekstualizuar. Shkontenkstualizimi ka të bëjë me atë se ndonëse është e vërtetë që një zyrtar i ulët i emëruar në mënyrë të parregullt nga qeveria e PS ka probabilitet më të ulët që të bëjë gabime drejtshkrimore se një i emëruar nga qeveria e PD, arsyeja nuk ka të bëjë me makropolitikat e partive, as me ndershmërinë e procesit të përzgjedhjes. Ajo është rezultat i pabarazive në formim që vijnë prej së shkuarës, ku PS vazhdon të jetë përfaqësuesja e familjeve që kanë pasur përparësi në formim arsimor gjatë socializmit burokratiko-despotik, kurse PD e atyre që iu kundërvunë sistemit të shkuar si të diskriminuar.

I keqi, i keqi dhe i keqi: Çlegjitimimi dhe paaftësia e rivalëve  

Disa ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, si aktivistë të Organizatës Politike shkruam një grafiti të frymëzuar nga filmi i Sergio Leone-s “I miri, i shëmtuari dhe i keqi”. Në foto si kaubojsë vendosëm Ramën, Bashën dhe Metën dhe shkruam poshtë: “I keqi, i keqi dhe i keqi”. Besoj se kemi prekur telat e shumëkujt që mendon se të gjitha palët, sidomos tri partitë sistemore, janë fytyra të së njëjtës të keqe, të padallueshme moralisht e politikisht nga njëra-tjetra. Është pikërisht kjo ide, e provuar zgjedhje pas zgjedhjeje që shpjegon në njëfarë mase bojkotin e dukshëm të këtyre zgjedhjeve. Po në kushtet ku për shumëkënd alternativat janë të padallimta, qeveria ka përparësi. Së pari, sepse pushteti i mundëson që një pjesë të pakënaqësisë ta blejë ose fitojë në të gjitha mënyrat e tjetërsimit të vullnetit. Së dyti, sepse dështimet e saj mund t’i paraqesë më kollaj si defekte sistemore, të pashmangshme si të ishin fenomene natyrore. Së treti, sepse duke përfituar nga rënia drastike e pritshmërisë dhe e shpresës së njerëzve, ajo mund t’i paraqesë punët e saj kozmetike si rregullimi i një sheshi apo përurimi i një shatërvani si vepra madhore. Kësisoj mund të ketë ndodhur që Partia Socialiste të ketë fituar edhe votat e atyre që në çdo ditë të katër viteve të shkuara janë ankuar për allishverishet e saj, por ditën e fundit votojnë për arsye krejt triviale.

Ta pret mendja që Partia Socialiste nuk do të fitonte nëse rivalja e saj kryesore, Partia Demokratike, nuk do të perceptohej gjerësisht si po aq zullumqare. Pas çdo kritike, përfaqësuesit e qeverisë u kujtonin njerëzve se sa keq shkonin punët me qeverinë e shkuar. Përveç kësaj, dobësia e demokratëve erdhi edhe si pasojë e ezaurimit politik gjatë protestës disamujore në çadrën përpara kryeministrisë. Kompromisi në fund i Bashës me Ramën për të hyrë në zgjedhje u dha krahë teorive konspirative se punët ishin ujdisur ashtu që zgjedhjet të ishin krejt formale, sepse dy forcat kryesore do të bashkëqeverisnin edhe pas tyre.

Kushtet ku secili konsiderohet si fytyrë e së njëjtës të keqe duket se kanë favorizuar partinë më klienteliste, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo e fundit, ndryshe nga dy të tjerat, nuk fiton vota “leshkosh” sepse askush nuk identifikohet me të në rast se nuk ka diçka imediate për të fituar (vend pune apo para në dorë). Kjo shpjegon edhe suksesin relativ të kësaj partie që e rriti më shumë se kushdo peshën e votuesve të saj.

Në këto zgjedhje kishte edhe alternativa të reja, votimi i të cilave mund të ndikonte në zbehjen e fitores së Partisë Socialiste. Mirëpo si Libra, ashtu edhe Sfida duket se kanë tërhequr vota të njerëzve që jo medoemos janë identifikuar më parë më shumë me këtë apo atë parti sistemore. Pra ndër votuesit e tyre mund të gjeje sa ish-votues të PS, ashtu edhe ish-votues të PD. Nga ana tjetër, karakteri i tyre kryekëput mediatik dhe përfytyrimi i politikës si oratori që i fiton votat nga performanca televizive, pa ndërhyrë dhe vepruar me njerëzit përgjatë kontradiktave shoqërore, bëri që synimi i tyre real të ishte elektorati i kufizuar i mikroborgjezisë profesionale brenda qyteteve të mëdha, sidomos në Tiranë. Kështu që edhe sikur të mos i prishnin punë njëra-tjetrës duke ndarë votat, zor se parti të tilla do të kishin më shumë se një përfaqësues në parlament.

Imazhi i forcës dhe forca e imazhit

Jo më kot e kam lënë në fund trajtimin e propagandës qeveritare. Shumëkush e ka trajtuar si të ishte faktori kryesor (në mos i vetmi) shpjegues i fitores së Partisë Socialiste. Diçka e tillë tregon më së paku përtesë të menduari politik që e sheh politikën në mënyrë sempliste: në njërën anë gjenitë e të keqes, në tjetrën të mirët trushpëlarë. Propaganda nuk mund të ketë asnjëherë rol kryesor, ndonëse është rëndësishme për të ngjitur copat e sipëranalizuara dhe për t’i shfaqur ato si të ishin një e tërë organike.

Siç u vu në dukje më sipër, për arsye historike Partia Socialiste ka qenë partia më e madhe në Shqipëri. Dihet po ashtu që në një vend me lëvizje politike autonome të dobëta si Shqipëria, të qenit në pushtet nuk e rrudh, por e rrit mbështetjen politike të një partie. Ky perceptim – diku racional, diku intuitiv – ka bërë që këta vite rreth qeverisë së kryesuar nga Rama të çimentohej një bllok pushtetor që niste nga pronarët e televizioneve apo universiteteve private për të përfunduar te bosët e nëntokës kriminale, të cilët nuhasin se ku qëndron forca dhe i bashkëngjiten asaj. Kështu, bosët e nëntokës, duke parashikuar që nesër hesapet do t’i zgjidhin me qeverinë e Ramës, sot nuk ngurojnë ta mbështesin atë në praktikat e tjetërsimit të votës në komunitetet e varfra. Mirëpo imazhit të forcës i shtohet forca e imazhit. Si rezultat jo vetëm i kujdesit maniakal propagandistik të Ramës dhe shpurës së tij, por edhe i mbështetjes pa rezerva që u dhanë pronarët e televizioneve të mëdha, gjatë gjithë fushatës elektorale u krijua përshtypja se Partia Socialiste do të fitonte me siguri, e paditur ishte vetëm thellësia e fitores. (A do të formonte dot shumicën absolute prej 71 deputetësh në parlament?). Forca e imazhit këtu luan rol performativ: të fortët dalin edhe më të fortë nga ç’janë sepse njerëzit gabimisht i marrin në fillim për aq të fortë sa ç’dalin në fund.

Nuk është për t’u përjashtuar këtu kurimi i imazhit të Ramës si transgresiv estetikisht, i cili mund të ketë ndikuar që të rinjtë e paformuar politikisht të bëjnë barazimin midis transgresivitetit estetik dhe antikonformizmit politik. I njëjti imazh, që evokon perëndimoren në paraqitje, mund të ketë pasur ndikim edhe te një pjesë e të sapokthyerve nga emigracioni, të cilët, të paambientuar me situatën politike në Shqipëri, kanë parë te Rama simbolin e botës nga e cila janë kthyer.

Ç’të bëjmë?

Të menduarit politik nuk mund të ndahet prej veprimit. Duke kuptuar dialektikisht se pse punët kanë shkuar kështu si kanë shkuar, çfarë është mundur të bëhet që nuk është bërë, njeriu vetëdijesohet për mundësitë kolektive të rezistencës shoqërore. Madje i zgjeron kufijtë sepse e di që e mundshmja nuk është probabilitet matematikor, por ndikohet nga shtrirja dhe intensiteti i rezistencës shoqërore. Analizës së faktorëve që ndikuan në fitoren e Partisë Socialiste i duhet shtuar analiza e forcave të rezistencës shoqërore, e vendndodhjes së tyre, si edhe e strategjive të nxitjes dhe unifikimit të rezistencës. Nuk është vendi për ta bërë këtu, por së paku mund të thuhet në parim se Rama dhe socialistët do të fitojnë edhe një herë, edhe dy herë, edhe kushedi sa herë nëse ne të gjithë, kundërshtarët e tyre parimorë, nuk do të kuptojmë se pa zgjuar ata që e pësojnë aty ku punojnë dhe jetojnë, pa u rreshtuar me ta në luftërat e tyre të përditshme dhe pa i lidhur këto luftëra në një lëvizje të madhe, nuk ka për të ndryshuar asgjë. Ah po, mund të ndodhë ndonjë katastrofë ekonomike apo mjedisore. Po kështu do të silleshim si banorët e atyre shoqërive që kërcejnë me duar nga qielli duke u lutur të bjerë shi.

– Botuar më herët në revistën “Shenja”.

19 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *