Pragu i papunësisë

Anita Lushi

Çdo ditë fle dhe zgjohem me një ëndërr utopike, që kur të mbaroj shkollën do gjej një punë në ‘profesion’. Çdo ditë e më shumë bindem se kjo është veç një ëndërr, jo vetëm imja, por edhe e pjesës më të madhe të bashkëmoshatarëve të mi. Çdo ditë bëhem dëshmitare e humbjes  së shpresës se kjo ëndërr do kthehet një ditë në realitet.

Harrova të prezantohem: Jam diplomuar në Bachelor për Shkenca Politike, që në përditshmëri cilësohet degë ‘luksi’. Luksi pasi nuk të jep një profesion të mirëfilltë e me treg pune në vendin tim. Vazhdoj studimet e ciklit Master për Kriminologji Komunitare (Administrim i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë), një program studimi me një emër tërheqës e ekzotik.

Pothuajse çdo ditë gjendem përballë njerëzve që më komplimentojnë për degën, por që pakkush (ose askush) e di se për çfarë bëhet fjalë. Kur më pyesin si i bëhet për ndonjë punë, përgjigjja ime e vetme është ngritja e supeve. Dhe fill pas saj vjen ngushëllimi që është në majë të gjuhës: ‘Hajt se do bëhet diçka’, pa e besuar as ata vetë atë që thonë.

Sa herë shoh reklamat nëpër rrugë për mbi ‘300 mijë vende pune të krijuara’ më duket sikur më tallin në fytyrë. Aq më të hidhura janë talljet me ata që quhen panairë pune, po që rëndom janë reklama për rekrutim studentësh në universitetet private. Çdo ditë detyrohem të shoh ëndrrën time tek thërrmohet e vdes pak e nga pak nga hija e call center-ave që kanë lulëzuar në çdo cep. Në çdo bisedë mediokre kafeneje më shfaqet po kjo hije: “Provo në filan call center! “- më  thonë, e vetëtimthi fillon e më kristalizohet një ditë pune në atë vend.

Supervizori që mat me sekonda orën e paraqitjes në punë. Fillimi i telefonatave, më mirë makthi i telefonatave. Italianë të acaruar që i zgjon nga gjumi apo i ndërpret nga puna për t’iu shpjeguar ‘ofertën e leverdishme’ të kompanisë. Të bërtiturat e klientëve që u ka ardhur shpirti në majë të hundës nga avazi i përditshëm, të cilat gërshetohen me të bërtiturat e supervizorit gjysmë shqip e gjysmë italisht: “Dai raggazzi, kontrat, kontrat!” Çdo minutë që kalon e shton më shumë presionin psikologjik. Çdo telefonatë e mbyllur pa kontratë është një hap më afër të qëndruarit pas pune pa pagesë, për të kapur objektivin e paarritshëm. Mbledhjet pas pune, fjalimi me dorë në zemër i drejtorit:  “ Merreni me seriozitet punën, nëse jeni operatorë të mirë mund të bëheni supervizorë, e nga supervizorë mund të rriteni akoma më tepër në përgjegjësi e të bëheni koordinatorë, pse jo edhe më lart. Merrni për shembull një si puna ime të cilit as që i shkon ndër mend t’i kthehet profesionit!” Çdo fjalë e tij është një shkelm ëndrrës sime. Çdo shembull që merr më zhyt në dëshpërim. Athua edhe unë do jem një numër në statistikat e politikave të suksesshme të punësimit të të rinjve?! Athua 17 vjet shkollim, stërmundim e sakrifica të familjes sime për të më shkolluar do marrin si shpërblim një ‘karrierë të suksesshme në call center të cilën do ta arrija edhe sikur ta kisha lënë shkollën pas fillores e të mësoja italisht prej telenovelave të Italia Uno-s?!

Kjo s’ka si të jetë zgjidhje! Call center-i nuk është vend punësimi për të siguruar jetesën. Call center-i nuk është biznes në shërbim të shoqërisë, as prodhon të mira për të, në mos na marrtë perëndia mendjen dhe quajmë të mirë shitjen e sapunit për djathë. Nuk është zgjidhje e problemit të papunësisë. Është veç zgjidhja  e fundit për të mbijetuar, zgjatje e agonisë, mishërimi i “mbushni barkun e mbyllni gojën!”.

Kjo nuk është ëndrra ime, as ajo ç’kemi shpresuar bashkëmoshatarësh, aq më pak shpërblimi për sakrificat e prindërve tanë. Po derisa dita kur ëndrra ime/ëndrra jonë të realizohet, unë zgjohem dhe fle me dy zgjedhje (jo zgjidhje): ose e papunë, ose në call center!

20 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *