Petro Marko: Nga t’ia mbajmë?

Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… Kështu pëshpërit çdo i ri, çdo njeri që don të jetojë. Dhe me të drejtë. Nga t’ia mbajnë gjithë ata që fuqitë e tyre mendore e trupore mbeten gjithmonë të virgjërta, siç mbetet kurdoherë i virgjërt vendi ynë nga pikpamja industriale-agrare e përgjithësisht prodhonjëse! T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik?

Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve!

S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin e popullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi. E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam.

Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është. Sot të jesh nëpunës, domethënë të rrosh në kurrizin e atyreve që u mungon kafshata e gojës. Sa më tepër nëpunësa të jenë, aq më tepër gjak i pihet popullit shqiptar, një milion e kusur njerëz, të urtë, të bindur, virgjër nga çdo rrymë e parim shoqëror, të varfër e të këputur, që janë mësuar të ulen çdo detyreje shtetërore, që janë mësuar t’i lënë të drejtat e tyre në mëshirën e nëpunësit që prej më të madhit e deri më të voglit, që janë mësuar të heshtin e të rrojnë si skllevër në një copë tokë të madhe e shumë të pasur sipër një dheu llegjendar”, sot pra, siç duket, nuk dëshirojnë të vdesin për bukë, por nisen të lëvizin, nisen të kërkojnë mënyra jetese, rrugë e shtigje për të rrojtur, se e panë që kolltuqet janë krijuar vetëm për një klasë njerëzish që duan të trashëgojnë brez pas brezit mehmurjetin!

Një milion njerëz, sipër një toke të virgjërt e të pasur, sot lëkunden e tronditen prej urisë. Rrofshin vetëm pak mijrat e nëpunësave që punojnë ditë e natë duke mbushur togje kartërash me ligje e dekret-ligje, me urdhëra e me qarkore për ta shpëtuar këtë popull!

Një milion njerëz në një horizont tepër të ngushtë nevojash jetese, sot tronditen prej urisë. Gjynah! Tepër mëkatë se ky popull nuk është ai i një qyteti të jashtëm që rregullohet vetëm prej një kryetari bashkie! Është populli shqiptar më i kollajshëm për t’u qeverisur, se ka arën, ka shtëpinë, ka vendin, ka kasollen ku të punojë e të rrojë. Ka dëshirën e mirë edhe ai për të jetuar. Po çfarë nuk ka? Nuk ka asnjë drejtim, nuk ka asnjë shteg, asnjë mbrojtje e udhëheqje për punë. Ka vetëm detyrën e taksave, ka vetëm detyrën që të jetë i bindur dhe vuvër. Nëpunësi atë i tregon, atë i jep si shëmbëll, e po t’i shmanget asaj rruge, futet edhe në burg. Dhe kur takon të mbahet ndonjë konferencë prej ndonjë të mënçuri, ai u flet prapë shokëve të tij se trupi i kalbur i popullit nuk do të dëgjojë më pallavra. Do bukë, do punë.

Çdo fjalë tjetër,çdo urdhër, premtim e ndryshim gënjeshtar është hiç! Ka punë? Ka mënyra si të çelen prapë punët e të nisë prapë jeta?Dhe kush do ta japë këtë punë? Cili do t’i çelë ndonjë shteg jetese këtij populli që bëhet vetëm prej një milion frymësh të pastërta e trupash të sëmura? Domosdo nëpunësave nuk ua thotë asnjë ligjë këto nene, prandaj edhe ata bëjnë detyrën e tyre: kolltuqe, pallate e salltanete. Kështu bëjnë edhe të pasurit e bejlerët. Dhe kapitalistët e pakët e fajdexhinjt, të hollat e tyre i kanë burgosur, të shumtat e të tjerat i kanë shpërndarë nëpër skeletet e të mjeruarve, që t’u thëthijnë edhe atë gjakun e pakët që u ka mbetur. Po si do vejë halli? Ku do të dalim? A duhet shumë mendje që ta parashikojë njeriu se ku do të arrijmë? Jo! Kemi zënë të zbresim shkallët që na shpien nga rrënimi i plotë ekonomik e shoqëror. Dhe kur do t’i mbarojmë shkallët që me shpejtësi rrokullisemi mbi to, atëherë kemi për të dalur në fushën e tmerrshme të bjerjes, të shkatërrimit e të kryengritjeve të ndryshme të shpirtit e të barkut. Dhe do të jetë tepër vonë për shpëtimin, se atëherë gjaku do të lëvizë, do të turbullohet, e mbas derdhjes që do të bëjë do të lypset kohë e pastaj të nisim prapë t’u ngjitemi shkallave për të arritur në nivelin e merituar, sipas punës e mundimit. Pra, që të mos vijë ajo orë tragjike e mbërritje sonë në atë lëmë shkatërrimtar, duhet ndalur hovi dhe kamxhiku i urisë, i papunësisë dhe i zisë që na rreh pa mëshirë dhe që na ka vënë përpara, duke na rrokëllisur për në greminën fatale. Duhet të ndalemi. Dhe nuk është shumë zor!. Por dhe as shumë kollaj.

Se sot ata që kanë paratë në dorë, ata që kanë tokën në dorë dhe gjithë mjetet e tjerë të prodhimit për përmbushjen e nevojave të shoqërisë së sotme, janë njerëz që duan vetëm të spekullojnë, të pijnë gjak. Të rrjepin dhe të sundojnë. Mungon puna. Punën e ka të virgjër populli, që pret inisiativa, pret Bankën Bujqësore, pret Reformën agrare, të plotë, pret që të krijohen shoqëri private prej njerëzish e kapitalesh të ndershme, pret të hapen shtigje të ra, horizonte të lira për jetesë, pret të caktohet simbas kohës çmimi i shtrenjtë i sendeve të para të jetës së përditëshme të katundarit, bujkut të varfër e të rrënuar kryekëput e të qytetarit të robëruar prej kapitalistëve fajdexhinj e të pashpirtë, pret punë e vetëm punë, se puna do ta shpëtojë popullin qo don të rrojë dhe që duhet medoemos të jetojë.

Botuar më 1936

15 e pëlqejnë këtë postim.

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *