Për çfarë?!

Klodi Leka

“Për çfarë i pagova këto para?” – është pyetja që çdo student i drejton vetes, dhe jo vetëm këtyre ditëve të karakterizuara nga radhët e gjata pas zyrave burokratike dhe financiare për të shlyer tarifat studentore. Si çdo student tjetër, në pamundësi për të gjetur një punë të qëndrueshme, verdhushkat mi paguajnë prindërit. Të gjetura borxh me shkop e me strajcë. Si shumë prindër të tjerë për të cilët shkollimi ynë është e vetmja shpresë që ne ta bëjmë jetën pakëz më të rehatshme dhe të bukur se ta, edhe pse ky iluzion ka nisur të zbehet me trishtim në imagjinatën e tyre duke parë rritjen e përshkallëzuar të tarifave dhe krizat në të cilat ka rënë e tashmja bashkë me të ardhmen tonë. Po për çfarë i pagova ato para mundi dhe djerse?

Për rektorin që jo vetëm nuk i kundërshton reformat rrënuese në dëm të studentëve dhe universitetit, por ka deleguar zëvendësin e tij në krye të komisionit që i harton reformat në fjalë?! E për çfarë? Për të mbyllur kompromisin bastard me pushtetarët që më e pakta të mos procedohet penalisht për bëmat e tij dhe më e shumta të mos ikë nga karrigia e rehatshme burokratike?! Që të vazhdojë praktikat e korrupsionit partiak dhe institucional?! Që të spastrojë universitetin nga zërat kritikë dhe mendjet më të ndritura?!

Për dekanët që i kanë kthyer fakultetet në zyra punësimi të familjarëve dhe miqve partiakë?! Që t’i dërgojnë pushtetit kërkesa për rritje tarifash?! Që të shpërndajnë bursa ekselence për shërbëtorët e tyre të bindur?! Që të kryejnë investime luksoze në gjëra të padobishme ndërkohë që universiteti gëlon nga mungesa e kushteve elementare?! Që të mos arrijnë të prodhojnë asgjë universitare, as revista mirëfilli shkencore dhe as aktivitete studentore?! Për çfarë pra, dreqi e marrtë?!

Për profesorët që jo vetëm nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për përgatitjen e  studentëve, por hedhin sytë në xhepat e tyre përmes materialeve voluminoze të mbushura me broçkulla që kripin çmimin e tyre?! Që të lexojnë fjalë për fjalë dhe presje për presje atë ç’kanë hedhur në lëndë dhe asgjë më tepër?! Që të tregohen arrogantë, mospërfillës apo më keq të korruptuar?! Që të heshtin përballë poshtërsive të eprorëve dhe padrejtësive ndaj studentëve?! Për çfarë pra, për çfarë?!

Për sekretaret që mezi guxon t’i pyesësh për të drejtat e tua dhe detyrimet e tyre pa marrë ndonjë përgjigje të pahijshme, të mangët dhe ironike?! Që të humbasim provimet si zakonisht?! Që të na marrin dy javë kohë për një vërtetim?! Që të vazhdojnë të jenë të çorganizuara?! Që nuk arrijnë të ndërtojnë asnjë praktikë lehtësuese në dhënien e informacionit si për punën e tyre, ashtu edhe për studentët?! Për çfarë, për çfarë, për çfarë?!

Apo për konviktet skandaloze me dhomëzat e tyre të ngushta pa ngrohje, pa mobilie, pa higjienë dhe ku rrasen si peshq të konservuar nga tri a katër vetë?! Për mykun dhe lagështirën?! Për banjat kolektive me orare të kufizuara përdorimi?! Për mensën që mungon?! Për sallat e ftohta dhe pa kushte të studimit?! Për dyert dhe dritaret me kompensata?! Për suvatë e rëna dhe korridoret e zhytura në errësirë?! Ju lutem, më thoni se për çfarë i pagova ato para!

Për abonetë e transportit që jo vetëm nuk kanë zbritje për studentët, por mungojnë edhe në kioskat përkatëse, me të vetmen mënyrë për t’i siguruar tregun e zi me çmime të kripura?! Për Kartën Studentore që qarkullon si gojëdhënë në mjediset studentore ku askush nuk e zotëron, por, edhe në e zotërofshin, mundimi kohor dhe burokratik nuk ia ka vlejtur?! Për bursat qesharake tetëmijëlekëshe që s’mjaftojnë për asgjë dhe për fitimin e të cilave duhet të kryesh njëqind procedura, të gjesh mikun dhe të japësh peshqeshin?! Apo më keq për gjysmëbursat? Hë pra student i dashur, jepi, më thuaj përse i pagove ato para!

“Për shtetin” – do të thotë ciniku i zakonshëm që vetëm te vetja dhe mjedisi rrethues i të ngjashmëve nuk i hedh sytë, por te hallet e burrave të padukshëm me kollare. “Për shtetin dhe ekzistencën taksuese të tij.” Pa më thuaj bashkëqytetar i nderuar dhe taksapagues, sa herë ka menduar shteti për ekzistencën tënde? Ku i siguron këto të ardhura për shlyerjen e tarifave? Si është gjendja jote në shkollë dhe konvikte? Sa nevoja dhe dëshira ke? A po e mbush barkun siç duhet me bukë? A po mund të ngrohesh në zemër të këtij dimri dhe a të janë krijuar kushtet e përshtatshme për sprovat e vështira të provimeve sezonale? A po edukohesh siç duhet profesionalisht, kulturalisht dhe demokratikisht për të qenë qytetar shembull i vendit?

Hë pra, më thuaj, ku është shteti yt?!Për çfarë i paguan taksat nëse nuk kthehen në dobi të jetesës tënde?! Çfarë kuptimi ka shteti nëse nuk të siguron asgjë, por të merr gjithçka?! Paratë, rininë, mundin dhe ëndrrat e investuara në një karton të çertifikuar që me shumë mundësi pak do të të vlejë? Hë, më thuaj! Po ta jap unë një përgjigje. Po mor po, shteti mendon për mua dhe për ty. A nuk mendon se si të na rrisë tarifat? A nuk mendon, madje me mendje gjeniale, se si të vendosë pengesa burokratike për kalimin e të cilave duhet të derdhim shuma të mëdha parash?! A nuk mendon të na taksojë për gjithçka, edhe për vërtetimin e thjeshtë se studion pranë X apo Y fakulteti?! A nuk mendon përmes reformash skandaloze të na zhveshë nga çdo e drejtë demokratike brenda hapësirave tona shkollore?! Hëm shteti ynë hallexhi!

Ky shteti ynë hallexhi, mik i dashtun, për të cilin më kritikove kaq shumë kur kërkova arsim publik falas – pra të mos paguanim tarifa – nuk është dhe aq hallexhi sa ç’duket. Shteti ynë hallexhi ka mjaftueshëm të ardhura për të financuar universitetet private me paratë publike, siç po thotë në reformën e re, por jo universitetin publik ama. Arsyeja është përmbysur: në vend që publiku të mbahet në këmbë përmes tatimit të privatëve ta pasur, privatët e pasur mbahen në këmbë përmes tatimit të publikut të varfër. Shteti ynë hallexhi  po kompenson me qindra miliona euro bizneset e mëdha, por shpall utopi çdo kërkesë studentore për lehtësira sociale. Shteti ynë hallexhi ndërton dhe zbukuron çdo ditë godina qeveritare, por nuk ka mundësi të vërë dy dritare të reja në konviktet tona mjerane. Shteti ynë hallexhi shpenzon miliona euro në vit darka dhe dreka luksoze, por nuk mund të hapë dy mensa modeste. Shteti ynë hallexhi sapo ka punësuar njëmijë policë dhe njëqind drejtorë më shumë, por për punën dhe me punën tonë nuk ka punë.

Ja pra, mik i dashtun, më kot e lodhim kryet me pyetjet se për ç’arsye na u desh të paguanim tarifat tona të përvitshme. Arsyeja të thotë se nuk ka arsye. Arsyeja kërkon të rikthehemi tek arsyeja! Të paktën, të bëhemi bashkë dhe ta ndalojmë kalimin e projektligjit skandaloz për reformimin e arsimit të lartë që na zhvat dhe na zhvesh, nga paratë dhe liritë. Të bëhemi bashkë me zemër, me mëndje dhe me trup që të kërkojmë atë çka arsyeja e falimentuar burokratike dhe qeveritare e baltos si të pamundur, por që arsyeja universitare dhe publike e shpall më se të mundur: ARSIM PUBLIK FALAS dhe pikë!

18 e pëlqejnë këtë postim.

One comment

  1. Tablo e sakte e realitetit shqipetar, jetojme ne shekullin 21 dhe ende varferia dhe skamja ben kerdine. Me e keqja qendron ne faktin se “ky shteti yne hallexhi” vazhdon ende te thithe gjakun e individeve/ shoqerise si vampir derisa tja pije dhe ate piken e fundit te gjakut. Rendon cdo segment te popullsise me taksa dhe tarifa ne rritje pa fund!!

    Pergezime per shkrimin!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *