Pasardhësi

Reil Sokolaj       

Luli i vocërr i Migjenit të madh u rrit, u plak e mbas do kohësh vitet e morën edhe atë me vete. Sa e pamëshirshme asht koha! Ajo mori me vete edhe Migjenine dhe shumë të tjerë të dashtun t’njerëzisë, por s’mësoi kurrë me marr’ armikun ma t’madh t’popullit e veglën ma t’përdorun të qeverisë, varfnin’!

… I shkretë, i veçum, i uritun, i këputun, i vramë n’buzët e qulluna të trotuarit, i ulun ndodhet 8-vjeçari me emrin Viktor. Ai s’bëzan. Asht’ shumë i vogël me lëshu prej zinxhirëve zanin çjerrës t’dikujt që tinëz, paskrupullsisht i kan’ vu mbi shpinë nji barrë kaq të randë sa pabarazinë.

E kush tjetër ma shumë se Viktori ia njeh ftyrën shtypësit e shkyesit të andrrave?!

Ai e sheh përditë, shumë herë në ditë, shtypësin e andrrave t’veta ,herë të kollarisun me pushtet zyrash të korruptume, herë të ulun në ndenjësen e nji makine çmimi i t’cilë ka ma shumë zero se sa tesha ka Viktori n’trup. Turpshëm e i zanun ngusht’, 8-vjeçari, i dënum me ken’ i paaftë me shiju t’mirat e kësaj bote, sheh se si moshatarët e vet kanë ma shumë, hanë ma mirë edhe janë ma t’lumtun se ai…

E mbasi fryhet me urrejtje për cilindo që asht’ ba shkak i fatit të tij, me drojë, i skuqun në faqet e zbrazuna prej urisë, i zgjat dorën e vogël dikujt që asht’ t’ui ardh afër me shpresën se nji monedhë e ftohtë ka me u puth me lëkurën e njomë, por shpresa rren t’madhin, merre me mend Viktorin. Kalimtari i radhës asht’ i njajtë me atë t’maparshmin, përçmus, inatçor, hakërryes e shpërfillës.

Viktori don me u zbeh, me u çu e me ik me vrap përballë Zotit të tij, e me e pyet:

Kaq thellë e ke gropos mëshirën n’zemrën e njeriut, që s’din kush me e gjet?!

Por Viktori s’e din ku asht Zoti i tij dhe varfnia s’don me ia dit’ për mllefin e Viktorit, kshtu që ia sul urinë me tërbim, n’zemër, n’bark, ia shtrëngon deri n’shtrydhje t’pikës së fundme sedrën dhe e detyron edhe njiherë me e shtri dorën drejt gjithkujt që përçmushëm, me inat, hakërryeshëm dhe shpërfillës i kalon, anash e sipër…

8 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *