“Nuk është politika për ty”

/Aurela Kadriu/

Përballë situatave politike ku mjete udhëheqëse janë shtypja e pabarazia, popujt vendosen para akteve të kryera të një mjegullnaje hiçi – e si të gjendur brenda kësaj mjegullnaje, ata mësojnë që dhimbshëm të ndjekin rrjedhën e lumit, të konformohen e të përgatiten të “presin më të keqen”.

Dhuna objektive që na ushtrohet çdo ditë deshëm apo s’deshëm na e detyron përfshirjen në këtë mjegullnajë – ama si viktima. Në të tillë situatë ku përfshirja nuk është opsion dhe ku secilit prej nesh çdo ditë nga oligarkët i përplaset në fytyrë rëndësia e tij veç si subjekt i heshtur, i ngurtë e i pakuptimtë (lexo: parëndësia e tij) indiferenca nuk ka si të jetë ndryshe veçse rezultat i një moskokëçarjeje të pashpresë ose një injorance të pavullnetshme – të dyja këto fort të lakmueshme nga shtypësit.

Disi te përjashtuar nga e gjithë kjo dramë politike janë nxënësit – ata që sikur kanë qenë të sforcuar të krijojnë një stil jetese si në një flluskë, të shkoqitur krejtësisht nga pjesa tjetër e botës. Diskutimi në këtë nivel as nuk do duhej të vazhdohej, e ky shkrim nuk do duhej të lexohej si diçka që i lehtëson nxënësit nga pesha e përgjegjësisë së tyre karshi indiferencës ndaj zhvillimeve politike në vend. Përkundrazi, ky shkrim duhet të lexohet si thirrje ndaj tyre për përfshirje e dalje nga rehatia e të qenit “viktimë”, apo e “të mospasurit përgjegjësi.”

Le të lexohet si një shkrim që nuk e përqafon njëanshmërinë e fajit për këtë indiferencë, si thirrje kundër ledhatimit të neglizhencave në sistemin arsimor e në diskursin ligjërues alla-pazaresk brenda shkollave tona. Le të lexohet si thirrje e fuqishme kundër frazave “Politika nuk është punë për ty”, e “Je i/e ri/e për ato punë.”

Përpos moskorrektësisë përmbajtësore të këtyre frazave, ndikimi i tyre në psikologjinë e nxënësve është fatal. Qysh në moshë të re e nxisin nxënësin të mos ndihet i fuqishëm për ndryshime brenda komunitetit të vet e, për më tepër, të mos besojë në përgjegjësinë e tij për të marrë pjesë në kauza drejt ndryshimeve në shoqëri.

Në anën tjetër, shprehja “Politika nuk është punë për ty, janë njerëzit që merren me të” i nxit nxënësit të besojnë se ata nuk mund të kenë rëndësi në proceset politike nga të cilat vuajnë çdo ditë e, rrjedhimisht, i shtyn të marrin si të mirëqenë idenë e Tjetrit të madh, ves ky që i çon ata drejt pranimit me automatizëm të secilit vendim që vjen nga ky Tjetër e, rrjedhimisht, në konformim ndaj asaj që tashmë është shndërruar në qëllimin kryesor të mënyrës se si funksionon sistemi arsimor brenda absurdit tonë: prodhimit të injorantëve e servilëve të pushtetit

Për më tepër është dhimbshëm qesharake të mendosh se paralelisht me këto fraza, nxënësit i ligjërohen edhe thënie si ajo e Aristotelit: “Njeriu është qenie politike”. Me një logjikë të thjeshtë, shprehjet “Nuk është politika për ty” dhe “Njeriu është qenie politike” qëndrojnë në një kundërthënshmëri shqetësuese, a thua se nxënësit nuk qenkan njerëz?! Apo politikja – polisi – e përbashkëta befasisht u shndërroka në një privilegj e atribut të shtresave e pozitave të caktuara? Përgjigjja është e thjeshtë:  bashkëvuajtës të këtij realiteti të hidhur. Polisi – e përbashkëta, realiteti politik – nuk është përjashtues. Ai nuk na përjashton nga përplasjet e pasojat e sistemit te dështuar arsimor, as nga pabarazitë, as nga varfëria e papunësia. Politika nuk na përjashton nga shtypja, as nga pasojat. Ajo nuk na përjashton nga privilegjet e as nga përgjegjësitë.

Politike është kafeja që pimë – që nga punëtori që e korr atë deri në momentin që na shërbehet. “Ne jemi fëmijët e epokës, epoka është politike. Të gjitha çështjet tua, tonat, tuajat, çështje të ditës, çështje të natës, këto janë çështje politike. Deshe nuk deshe, gjenet e tua e kanë të kaluarën politike, lëkura, nuancën politike, sytë, aspektin politik. Çfarëdo të flasësh ka rezonancën, për çfarëdo të heshtësh ka shqiptimin sidoqoftë politik.” – do të thoshte Wislawa Szymborska në poezinë e saj “Fëmijët e Epokës.”

Ne jemi politikë, por vetëdijesohemi si të tillë kur, krahas privilegjeve, marrim edhe përgjegjësitë e të qenit të tillë. Politikisht vetëdijesohemi kur e zhveshim veten nga rehatia e viktimizimit dhe e papërgjegjshmërisë, kur organizohemi e refuzojmë të jemi spektatorë aty ku duhet te jemi faktorë, kur organizohemi për të mirën e përgjithshme ashtu siç bënë Ganimete Tërbeshi, Qemal Stafa, Yllka Domi e shumë të tjerë.

E njihni Ganimete Tërbeshin? Është harruar emri e lavdia e saj, apo jo? Ganimetja nga Gjakova, që si 15-vjeçare u angazhua në lëvizjen antifashiste, duke u bërë ndër aktivistet më trime. Si 16-vjeçare e arrestojnë nazistët gjermanë dhe e dërgojnë në kamp internimi. Aty shokët e këshillonin që të mos ishte aq e ashpër në komunikim me ushtarët gjermanë. Ganimetja trime vetëm thoshte: “S’kanë çka më bajnë, vetëm me më mbytë. Unë jam nji, e na jemi me mija e mija. Le të ndëgjojnë prej nji shqiptarje se çka mendojmë për ta!” Akoma pa i mbushur 17 vjec, në Namazgjahun e Gjakovës, Ganimetja u var me 9 aktivistë të tjerë, publikisht para qytetarëve të Gjakovës. Që të shtohej tmerri i saj, u varën nëntë shokët e saj para syve dhe atë e varën të fundit. Nga dëshmitë e kohës, ajo nuk qau fare. Vetëm tha këto fjalë: “Tradhtarë! Do të na e marrin hakun shokët!” Ganimetja mbetet shembull i përhershëm i një adoleshenteje të guximshme, e cila mohoi qejfet e moshës sepse e kuptoi se argëtimet e saj nuk kanë vlerë kur tërë populli vuan.

Doni shembuj të tjerë? Keni dëgjuar për Qemal Stafën? E mbani mend vetëm si emër stadiumi? Apo e keni harruar edhe historinë e tij? Qemali ishte një adoleshent tjetër shqiptar që la qejfet e moshës për të luftuar për lirinë e popullit në luftën antifashiste. Ishte 15 vjeç kur u përfshi në lëvizjen e majtë në Shqipëri dhe 22 vjeç kur u vra nga fashistët italianë në Tiranë. Që në këtë moshë dinte pesë gjuhë të huaja, botonte një gazetë ilegale dhe lexonte shumë letërsi e filozofi – ndonëse asokohe, kushtet për të pasur qasje në atë literaturë ishin shpërpjestimisht më të vogla se në ditët e sotme. Me tërë këtë përgatitje, Qemali fitoi bursë për studime në Itali, por nuk e pranoi, vetëm e vetëm që të angazhohej politikisht për të mirën e përbashkët. Një djalosh i ri, inteligjent, që mund t’i ndiqte trillet rinore. Por, jo! Ai ndoqi përfshirjen në organizim për t’u organizuar për një jetë më të mirë për të gjithë.

Duhet kujtuar edhe dëshmoren e poeteshën tonë Yllkën, e cila që kur ishte 17 vjeç refuzoi të qëndrojë indiferente, e për lirinë luftoi me penë e dije kundër pushtuesit serb deri në ditën e 7 majit të vitit 1999 kur lajmi për vrasjen mizore të saj nga forcat serbe shkundi mal e qytet, e muret e shkollës në të cilën ajo kish qenë kaq e përkushtuar.

 Ndaj, sot detyrë e jona e përbashkët është organizimi për ndryshime e kundër patetizmave të sojit “Rinia është e ardhmja e vendit” të atyre që na e kanë katandisur të tashmen. Detyrë e jona është të kundërshtojmë atë që duhet kundërshtuar. Nëse të kaluarën na e kanë marrë, e ardhmja nuk duhet lënë të na rrëshqasë nga dora. Ne kuptimësohemi vetëm kur organizohemi, jo kur lejojmë të përjashtohemi.

E tashmja dhe e ardhmja e ndritur e një vendi janë në kundërshtim të plotë më një rini konformiste e servile ndaj pushtetit – një e ardhme e ndritur qëndron në përpjesëtim të drejtë me një rini të mirarsimuar, një rini të përfshirë në mënyrë aktive, një rini të aftë për kritika përmbajtësore, një rini të fuqishme e me kurajë te plotë, një rini pa frikë – një rini të vetëdijshme politikisht!

*Autorja është gjimnaziste në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë dhe aktiviste e Klubit Politik të Studentëve

11 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *