Ne, akoma të gjallët

/Klodi Leka/

Dimër. Gjithnjë më ka pëlqyer dimri. I strukur në këndin e kuzhinës, në pamundësinë proletare për të pasur një dhomë ku të habitesha me lulëzimet e mistershme rinore, lëshoja vështrime kureshtare mbi botën. Katër muret e bardha të dhomës, të lyera me gëlqere të varfër dhe pa asnjë zbukurim, më kallnin të ftohtin. Sidomos kur rryma elektrike hiqej për orë të tëra dhe mamaja nuk kish me çfarë t’i ziente groshët, avujt e së cilës, bashkë me ndjesinë e të qenit në shtëpi, ngrohnin për pak çaste trupat tanë të vegjël. Dhe kur rryma rikthehej, nuk mund ta ndiznim aq sa dëshironim furnelën me tullë, ngaqë nuk mund ta paguanim dritën dhe të ngrohtin. Prandaj bënim gjithçka t’i arratiseshim acarit që priste acarueshëm pas derës dhe që tentonte të përvidhej poshtë saj, porsi dashnor i ndezur në dëshirën për të ledhatuar brinjët, barkun dhe bythët tona. Mirëpo, edhe pse i ikja të ftohmës, hera-herës më kënaqte miklimi i butë i brinjës kur kaloja nxitueshëm nëpër korridorin që të çonte drejt e në nevojtore. Më krijohej ideja e të dalit lakuriq në një pllajë të hapur të botës të bërë borë, së cilës i bëja ballë burrërisht për disa sekonda, për t’u kthyer vrik në këndin e kuzhinës, nën batanije, prej nga mu ngjiz natyra shtëpiake dhe dashuria melankolike për njeriun. Zura të shkruaj vargje te zeza dhe ta jetoja dimrin lakuriq, në një të ftohtë që nuk kish furnelë a rrobë të leshtë ta përzinte prezencën e tij.

Sot jam më i rritur. Nuk jetoj më në shtëpi. Kam dalë në pllajën e ftohtë të botës, por nuk mërdhi si më parë. Jo aq prej kafeneve të ngrohta sesa prej ashpërsimit të asaj çka quajmë zemër. Akoma nuk e kam kuptuar në është gjë e mirë apo keqe ky tjetërsim. Ama diçka ka mbetur e palëvizur brenda meje: vargjet e zeza dhe dashuria e cekët për njeriun. Dashuri që shpesh e më shpesh ngre krye, pa lëngun e shijshëm të frytit në brekë, siç ndodh me ca humanistë këtejpari. Unë nuk jam humanist. Nuk e dua njeriun për atë çka është, si figurë prej mishi dhe britmash, por për atë çka mund të bëhet. E shikoj së larti, duke qenë gjithnjë poshtë, në të njëjtën rrugë me ta. Kjo ndjesi më kaplon gjatë rrugëtimit të përnatshëm drejt restorantit me çmime të lira, ku zakonisht ha dy pjata dhe prapë ngrihem i pangopur. Ato dyqind metra rrugë, pa televizion mbi krye, apo dikë të më çorodisë me fjalët e tij, pra i heshtur dhe i vetëm, gjë mjaft e veçantë kjo, shikoj njerëzit, të kërrusur në ato rrobat e tyre të mëdha, gjithnjë e më pak të buzëqeshur, dy e nga dy, tek ecin mendueshëm në trotuar. Përpiqem të gërmoj në fytyrat pa shprehje. Me ta jam i të njëjtit brez. Ngjajnë më të rritur se ç’janë në të vërtetë. Pavarësisht zërit dhe paraqitjes brutale, me kokat e qethura njësh si të ishin ushtarë, të fryrë me përçapjet e seksit dhe suksesit, dhe përkundër neverisë mbi këta njerëz të të qytetëruarve, pamja e tyre më gëzon. Sepse janë fytyrat ku rrjedha e çmendur e kohës lë shenjat e saj. Këta janë kafshët që nuk lypin mëshirë, por luftojnë gjer në krim për të mbetur gjallë në fund të ditës.

Mbërrij në restorant. Zë cepin e preferuar pranë derës. Ç’prej aty shikoj ecejaket e njerëzve dhe peizazhin e ftohtë jashtë xhamave. Dy tavolina më tej hanë me ngutje dy kafshë të vogla, kokëqethurit e zakonshëm. I gëzohen diçkaje. Zihen me njëri-tjetrin dhe bëjnë shakara aspak korrekte konceptualisht. Po qeshin, me ç’kuptova, me lajmin e dhënë në televizor, ku gjatë një takimi me policë dhe ambasadorë u tha se njerëzit me prirje homoseksuale do të kenë një buqetë me privilegje për t’u mbrojtur prej detit te madh te t’paemancipuarve.

“Plako, pse nuk bëhesh edhe ti homoseksual? – pyeti tjetri shokun në tavolinë, me një buzëqeshje të lehtë në sy. Më mirë se të jetosh si qen në konvikt, kushedi si të ndihmojnë këta të huajt. Shiko, mos bëj kësi shakash me mua, mor bir kurve! – ia priti tjetri serioz sa më s’ka. Nuk qihem në bythë unë. Po bëj si homo mër plak, nuk është e thënë… Jo pra, jooo!  Hahaha!” – ia krisën të qeshurit të tjerë në tryezën ngjitur, me gjasë të njohurit e tyre, tek i dëgjonin pa zë. Kthej kokën. Me siguri këta djem mbathin brekët dhe kanotieret e njëri-tjetrit. Kështu bëj edhe unë. Madje, atë çast, kisha mbathur brekët, bluzën dhe këpucët e djemve me të cilët jetoj në të njëjtën shtëpi.

Kamerieri nuk vonon të më ndërpresë rrjedhën e kujtimeve në kokë: “Çkemi! Ç’dëshironi të hani? Një lazanjë, ju lutem! Menjëherë.’’

Dikush ngriti akoma më lart zërin e televizorit. Spikeri vazhdoi të recitonte si zakonisht. Nuk dëgjoja ç’thoshte, edhe pse sytë i ngulita tek ai. Më çuditën thinjat. Ky spiker dhe njerëzit për të cilët fliste ishin plakur para syve tanë, në televizion, dhe ne, dëgjuesit, duhej të përqendroheshim picërrueshëm që t’i pikasnim thinjat në kokat e tyre. Lazanja nuk vonoi. Ishte e djegur. Nga ato ushqimet e mbetura të mëngjesit, të përcëlluara në mikrovalë. Nuk vihej në gojë, megjithëse kushtonte goxha dhe duhej ta gëlltisja se s’bën. Është luks të hash lazanja kur të tjerët përtypin lëng groshësh. Kjo pamje kokëqethurish që përtypnin me çape të mëdha bukë me shije kartoni dhe pastaj turreshin drejt dhomave të dhjera të konviktit më ngjalli krupë e padurim. Më erdh’ të përmbysja tryezën dhe të klithja pa drojë me sa të kisha në kokë. Më ka ardhur në majë të hundës me këto ecejaket, të bësh çdo ditë të njëjtën gjë, të nxitosh për në mensë, të hash bukë me shije kartoni, të dëgjosh lajmet, të nxitosh drejt dhomave me shije burgu, si dje, si pardje, si javës që shkoi. Por klithma mu mbyt në kokë.

“Lajmi i fundit, të nderuar dëgjues – buçiti zëri burrëror i spikerit, për çudi, jo i tronditur. Një grua u flak lakuriq nga dritarja e banjos në katin e katërt ngaqë burri i saj ishte xheloz.” Lajmi vijoi, në ekran u shfaqën pamjet e një pallati të rrjepur të shekullit të shkuar. Pastaj fqinjët me çehre të shqetësuar. Në fund, fotot e bashkëshortëve. Sallën e përshkoi një heshtje e akullt. Jashtë njerëzit pluskonin si zakonisht. Asgjë nuk kishte ndaluar atë moment. Ky fakt më dhembi. Doja që gjithçka të ndalonte dhe në sytë e njerëzve të rridhte një lot i ngrohtë jo vetëm për gruan e vdekur, por edhe për vrasësin e saj. Por nuk ndodhi. Madje, pas ndërprerjes së shkurtër, gjithçka vazhdoi si zakonisht. Në ekran u feksën burrat e thinjur pakuptueshëm në sytë tanë, me fjalë të bukura, të një bote që nuk dukej asgjëkundi, dhe në mbyllje buzëqeshja babaxhane e spikerit. Rrugës, përtej xhamit, krijesat e mrekullueshme në shëmtinë e tyre, qyqarët e zakonshëm, dashurues dhe të dëshpëruar, të rinj të vjetruar, vrasës dhe të vrarë, sorollateshin në mbrëmjen e ftohtë të dhjetorit, si të ishin iluzioni i bukur i paqes së gënjeshtërt. Jashtë, jashtë ekranit, jashtë xhamit të restorantit, në acarin ku të gjithë jemi të detyruar të jetojmë. Në pjatë kishte mbetur pakëz lazanjë. Mishi i grirë dhe salca e ftohtë më ngjallën krupë duke më kujtuar ngrënien që ne, njerëzorët, kokëqethurit e të pakulturuarit, kafshët e braktisura në vetminë e madhe të së ftohtit, i bëjmë njëri-tjetrit.

Kamarieri mbiu nga asgjëkundi, sikur të kishte nuhatur neverinë. “Të pëlqeu? – më pyeti me njëfarë buzëqeshjeje djallëzore. E mrekullueshme. – iu gjegja gënjyeshëm. Mirë pra, dymijë e pesëqind lekë!” I lashë të shkoqurat e mbetura mbi tryezë, duke u larguar me shpejtësi prej asaj qoshke të ngrohtë thuajse imagjinare, për t’u kredhur jashtë, në të ftohtin e zi të mbrëmjes, kokëqethur, me ca qindarka jetë në xhep, porsi një kafshë, aty ku e kam vendin, në luftën për të pritur gjallë ardhjen e mëngjesit.

25 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *