Militanti II dhe Viti i ri

Jani Marka

I dashur Vit i ri!

Kam vendosur të të shkruaj, por kam, si gjithmonë, merakun e të qenit – ose më saktë – të të dukurit patetik. E kupton besoj se sa e lehtë është të ngjash patetik në kohëra patetike. Po të shkruaj më tepër për të të njoftuar, apo premtuar, sesa për të të pyetur apo pritur prej teje. Mos i hap veshët kot se nuk kam ndërmend të them fjalë të zeza për vitin që iku; megjithëse, po ta mendosh mirë, vitet nuk ikin, ato janë aty, koha është aty, por ecën, në mënyrë krejt të njëtrajtshme, por në fakt ne vrojtojmë gjurmët e kohës, dhe po, gjurmët e kohës ndryshojnë fort, me zig-zage, poshtë e përpjetë, por gjurmët nuk varen fare nga ti, i dashur Vit i ri. Gjurmët varen nga bota materiale e natyrës, e universit dhe marrëdhënieve shoqërore.

Nejse, se e zgjata ca si shumë, ajo çfarë ikën, dhe sa frikë që kam, jam unë. Dhe tash, jam “në luftë të hapur” me kohën që nuk zhduket. Pikërisht këtu qëndron thelbi i egoizmit tim: si t’ia bëj që të mbetem edhe unë?! Pas shumë kohe mbi supe e kaptinë, e kam gjetur një përgjigje: që të mbetem, duhet të sillem dhe veproj si revolucionar, qoftë e zezë apo e bardhë koha. Revolucionar! Po, i dashur Vit i ri! Unë vitin tjetër do sillem si revolucionar. Më lejo të qetësoj borgjezët, kryesisht mikroborgjezët, se nuk duhet të kenë shumë frikë: nuk është se do hedh pushkën në sup. Thjesht bashkë me shoqet e shokët do iu shpërfaqim kontradiktat e klasës së tyre – disave si klasë sunduese e më të shumtëve si ndërmjetës në sundim. Do përpiqemi t’u heqim maskën “liberale”. Dhe ta dish që do ta kemi më të lehtë se kurrë në shenjën e zotërisë sate, kur kapitalizmi dhe liberalizmi, siç thotë shoku ynë Zhizhek, po bëjnë gjithçka për t’u divorcuar: kapitalizmi po zë ngado dashnore autoritariste e fundamentaliste, kurse liberalizmi është mbyllur si nuse shpirtvrarë në kullën e fildishtë e qan me lot të nxehtë të shkuarën gjysmimagjinare të çiftit.

Në shtratin tënd i dashur Vit i ri do bëjmë kritikën e sistemit, sa në teori, aq edhe në propagandë e agjitacion, ku të mundemi e si të mundemi, që rendi kapitalist nuk mund të shpëtohet, por thjesht duhet ndihmuar që të zhduket pa lënë pasoja më shkatërruese nga ç’ka krijuar në shekujt e fundit.

E mirë iku kapitalizmi, por çfarë vjen pas do hidhen menjëherë përpjetë kokoshët? “Komunizëm” – do thonë ata, të tmerruar me të drejtë nga historia. Po komunizëm – them edhe unë, por me mundësinë e shpresën për një komunizëm të ri, siç janë të reja e të papërsëritshme rrethanat historike.

Do jem revolucionar jo vetëm në terma teorikë, por edhe praktikë. Praksis i dashur Vitush i ri, siç e përdorte ai që i pat aq inat festimet ideologjike të fundvitit, shoku ynë Nino Gramshi. Do dal në terren, në protesta, manifestime apo revolta qofshin, në mbrojtje të publikes, të kauzës punëtore të heshtuar si çifutët motit; për kauzat që sjellin barazi dhe mpakin e shuajnë përjashtimin; për kauzat që sjellin solidaritet në vend të çnjerëzores konkurrencë; për kauzat që lehtësojnë jetën e shumicës dërmuese të shoqërisë përkundër luksit të të paktëve; për kauzat që japin shpresë kolektive në vend të iluzioneve individuale. Do jem revolucionar, do lexoj libra, ese, ekonomi, filozofi. Do lexoj Marksin, Engelsin, madje edhe Leninin. Jo më pak shoqen e vrarë barbarisht, Rozën e kuqe, e shokun me kamë në kokë, uraganin Trock. Do dëgjoj e qëmtoj Harvein, Zhizhekun, Badiunë, Negrin e të tjerë e të tjerë. Do shoh filma e dokumentarë, do bëj statuse e komente në fejsbuk, do bëj lajke e sherë, hera-herës edhe sherr, si në fejsbuk, por mbase, ku i dihet, edhe me policinë. Do zihem edhe me ata që thonë “se kjo është natyra njerëzore, nuk ke ç’bën”. Do zihem me të gjithë po qe nevoja; do zihem dialektikisht me gruan, me shokët, me nënën e babën. Do përkthej shkrime kritike, dhe hera-herës, kur të më hipë frymëzimi, do shkruaj edhe vetë. Jo se më vjen shumë n’dorësh, por sikur edhe një njeri të më lexojë e të nxitet prej atyre që shkruaj, do të ishte e pafalshme të kolovitesha në skrupujt e mi mikroborgjezë. Do shkruaj sidomos kundër qeverisë dhe pushtetit autoritar ngado që shfaqet, në fabrika e shkolla, në familje e burgje. Do lexoj e shikoj edhe shtypin dhe televizionet e elitave që orvaten të urtësojnë tallazet e pakënaqësisë popullore, por vetëm sa për të kuptuar logjikën propagandistike të klasës sunduese. Kushedi mund të na hyjë në punë ndonjë ditë si idiote e dobishme. Dhe në fund, se nuk duhet ta lë pa përmendur, si revolucionar do jem në kërkim të rrugës drejt së vërtetës. Jo si zbulim metafizik, por si prodhim kolektiv çlirimtar.

I dashur Vit i ri! Se mos nxiton e më quan donkishot! Jo, të gjitha sa thashë nuk është se do i bëj vetëm, se i vetëm nuk ka as kuptim, as arsye e rezultat. Do t’i kryej në grup shoqëror, në organizim revolucionar, të organizuar, në organizatë politike. Natyrisht që edhe unë kam ndërdyshjet e mia. Nuk e di, për shembull, nëse në këtë periudhë historike dhe në kontekstin shqiptar duhet të merremi më tepër me ide për të përçarë ndërmjetësit nga zotërinjtë e shkundur masat e hegjemonizuara nga ideologjia e klasës sunduese, apo me veprime konkrete në terren në çështje të vogla emancipuese, apo kushedi duhet të përqendrohemi në forcimin e një organizate pararojë. Apo t’i bëjmë të tria paralelisht, por me më pak forcë? Apo…?! Të shohim – nuk do-me-thënë se do rrimë duke parë, por të shohim në rrugë e sipër, në betejë e sipër.

I dashur Vit i ri! Derisa të plakesh, besoj se do t’ua kemi gjetur fillin e përgjigjes një pjese të çështjeve të saposhtruara.

28 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *