Ku jam unë?

/Marselino dos Santos/*

 

Jo!

Mos më pyet,

Ku jetoj,

Ku banoj…

 

Ec në rrugën time.

 

Kjo rrugë është vizatuar

Me goditje kamxhikësh

Në shpinat lakuriqe…

 

Banoj në skelë,

Ushqej furrën

Dhe vë në lëvizje maqinat,

Rrugë ndërtoj për të tjerët.

 

Rroj në trupin e tokës-mëmë,

Dhe gjakun e ngrohtë,

Dhe forcën e muskujve të saj

Pikë-pikë e harxhoj…

 

Po qe se ende

Përhapet zëri im,

Dhe po qe se ende këndoj,

Kjo ndodh,

Se jam i pavdekshëm,

Po vetëm hëna

Dëgjon rënkimet e mia!

 

Jo!

Mos më thërrit

Në sallat luksoze,

Ku s’jam unë,

Ku nuk mund të jem.

Unë jam këtu,

Në Amerikë,

Unë jam këtu, jam këtu!

Këtu Abram Linkolni

Është vrarë.

 

Po unë jam,

Unë jam,

Unë jam!

 

Mua më linçojnë çdo ditë!

Dhe ja,

Prandaj

Mos më josh

Me atë lavdinë,

Që fitoi Betoveni.

 

Unë jam këtu!

Psherëtimën time ti e dëgjon

Në psherëtimën e milionave,

Që shpërthen nga burgjet,

Nga dokerët** e nxirë,

Nga minierat e thella…

 

Po, unë jetoj

Në fjalët e Gilenit,

Në meloditë zezake

Dhe në këngët e Hjusit,

Dhe në barkun e tokës-mëmë,

Mundohem të ndryshoj

Qënien time.

 

Dhe në qoftë se jetoj,

Atëherë do të thotë,

Se do vijnë njerëz,

Që do të krijojnë poemën

Mbi mbarimin e Natës

Dhe fillimin e Ditës!

 

Shkëputur nga “Tam-tami thërret” (1970), përmbledhje poezish rezistence dhe revolucionare nga gjithë bota, më së shumti nga Azia dhe Afrika. 

Shënime:

*Marselino dos Santos është poet, revolucionar dhe shtetar nga Mozambiku. Ka qenë themelues i Frontit Çlirimtar të Mozambikut në vitin 1962, e më pas deputet dhe ministër për një kohë të gjatë. Përfaqëson edhe sot krahun e majtë të partisë ku bën pjesë, duke u vetëshpallur hapur si marksist-leninist.

**Punëtor i porteve detare, që merret me ngarkimin e me shkarkimin e anijeve.

Imazhi: Dos Santos, Festival de Poesia de Medellin, 2011

5 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *