Karaktere dramash

Tinka Kurti

Në kohëra arrogance qeverie, njëri kryeministër thotë se njerëzit ikin edhe pse kanë iPhone. Tjetri thotë se për shkak të VLAN-it. Motra e një ministri thotë se ata që ikin janë dembelë dhe e meritojnë kampin e burgun evropian e vëllai i saj Blerandi thotë se fëmijët janë e drejtë ekskluzive e të pasurve…

Eh pra, në kohëra nominesh fejsbukore, panairesh tregu të kulluara, në kohë Kallashesh ekspozuara masivisht si mish në shitje, sharjesh diplomatike, arratisjesh nga zyrat e PDK-së e LDK-së ku njerëzit kishin vënë baste të çmendura, në kohëra kur emisionet e përsërisin veten e njëri – tjetrin dhe gjithmonë në kohëra … privatizimesh, populli i Kosovës i portretuar si ‘qytetarët’ futet gjithmonë në një thes të vetëm, megjithëse diku të arnuar e diku me copa të shkëlqyeshme. Por brenda  –  në thes -dikush është barkthatë se s’ka asnjë thërrime, dikush barkthatë se përton të hajë të mirat e pafundme që i ka në sofër. Ironikisht, tendenca shkon kah ajo që njerëzit të bëjnë pjesë në të njëjtën kategori, kurse zgjidhjet e problemeve të jenë individuale. Por zgjidhja është vetëm tek e përgjithshmja.

Kur themi gratë, për cilat kemi folur? Kur themi të papunët, cilat imazhe kemi në mendje? Personazhet nuk kanë pse të dalin prej kryeveprave shekullore për të dëshmuar heqjet e njerëzimit – ende mund të gjenden lehtë, mes nesh. Të kudondodhshëm. Përditë. Ata nuk janë të përbashkuar, por të ndarë në status ekonomik.

Pacienti i Kosovës – e di në ç’gjendje është e katandisur shëndetësia në Kosovë. I di shërbimet e kushtet në spitalet publike. I di çmimet e atyre private. E di që avantazhi i vetëm është shkalla më e ulët e sëmundjes. Besimi i tij i zbehur si për privatin, si për publikut forcohet nga zori i sëmundjes kur dorëzohet në spital. Ai e ndjen se zemra e tij e sëmurë paraqet vetëm disa gramë më shumë në industrinë e zemrave. Ajo është malli i tregut të zemrës. Defekti mikroskopik i saj paraqet shuma enorme për biznesmenët e zemrave. Dhe ata – tregtarët e zemrave – janë të vetëdijshëm që nuk po pasurohen thjesht prej shitjes së zemrave plastike për romantikët. Po luajnë me zemrat e njerëzve të sëmurë. Shesin bateri për to. Ky nuk është korrupsion i thjeshtë. Ky është korrupsion fatal i një shoqërie ku fokusi është zhvendosur nga jeta, te vdekja. Pacienti i Kosovës mund të vuajë nga deformimi i shputave të këmbëve dhe nëna e tij – Arife Haliti – të jetë e gatshme për shitjen e veshkës që t’i sigurojë mjetet për shërimin e shputave të fëmijës së saj.(KTV, lajmet qendrore 2 shkurt 2014)

Studenti – është kamerier. Shërben çdo ditë kafenë më të mirë në botë. Ka dhënë dorëheqje edhe prej diplomimit që e kishte drejt përfundimit. Tek e fundit, vendimtare për jetën e tij nuk do të jetë diploma. Vendimtare do të jetë ndërgjegjja që u ndërtua prej Migjenit i cili çdo herë e më rrallë gjendet si referencë në shkolla. Atij i interesonte shumë një lëndë në fakultet. Çuditej si për herë të parë. Por edhe më shumë u çudit kur pa se profesori mungonte shumicën e kohës meqë punonte edhe në fakultete (fakultete i thënçin) private. Studenti i paguan kuotat semestrale, qiranë, librat… ai punon që prej vitit të dytë. Lodhet aq shumë, saqë fakulteti është kopshti i tij i fshehtë për të pushuar dhe jo vendi i studimeve të thelluara.

I papuni – pret… Konkurs më konkurs. Derë më derë. Kafe pas kafe…. Përditë. Çdo vit.

Punëtori – sigurisht s’ka kontratë. Ai është ndërtues. Punëtor kurrizdalë. Ndërtues në kuptimin që rropatet përditë duke vendosur tulla një mbi një e duke përzier malter. E shumtë është puna e tij përgjatë 12 orëve të ditës. Çdo dy javë pushon nga një ditë. Nganjëherë fare. Kaq. Një ditë ishte rrëzuar nga shkallët. Gati sa nuk la gjymtyrët në vend. Tash mezi ecën. Ai nuk e paditi kompaninë, as nuk kërkoi dëmshpërblim për shkak se pronarët e morën vëllain e tij në punë. S’ka lidhje për sakatosjen për sa kohë dikush tjetër sjell miellin në shtëpi që të jetë një invalid që frymon.

Menaxheri i bankës – zakonisht beson se lloji njerëzor ndahet në njerëz që stresohen se e kanë të qartë ku do ta kalojnë të dielën dhe në njerëz që stresohen pse nuk e dinë ku do ta kalojnë këtë ditë. E gjithë jeta e tyre është konceptuar nga shifrat dhe administrimi. Dyert e mendjes janë të kushtëzuara për t’i thyer zinxhirët e mërzitjes. Nganjëherë bankieri merret me bamirësi. Ndërkaq darkat në shtëpi janë mjaft bujare. Sigurisht kjo flet për statusin e tij ekomomik jo për bujarinë. Ndërkohë ai del prej punës sepse zoti nuk është treguar mjaft bujar me të. Nuk është mjaftueshëm i bukur. Rroga e tij është rritur aq shumë saqë banka ka llogari të punësojë katër bankierë të rinj që i paguan më pak. Për gjak nuk kanë nevojë vetëm vampirët.

Indiferenti  – i ngjashëm me bankierin derisa ka punë. Nuk i bën përshtypje asgjë. Nuk është puna e tij. Mburret me këtë. Ndërkohë njerëzit vuajnë. Pasiviteti i tij u ka shërbyer për t’u vënë në anën e shtypësve. Sigurohet që historia të mos ketë çfarë të shënojë. Një greminë e madhe. Hendek. Sepse hendeqet i heq rebelimi. Ndërkaq, pasiviteti e mbush boshllëkun me boshllëk.

Ciniku – krejt ndryshimi që do është që të ndërrohet moti.

Në thesin e përgjithësimit ndodhet edhe gruaja rrobaqepëse që nuk del kurrë në kronikat promovuese ‘gratë në biznes’. Personazh i dramave të përditshme është edhe i përjashtuari i periferive urbane dhe rrethinave rurale, gjimnazisti që nuk mund të shkojë në shkollë dhe rinia e tij merr fund në s’di se çfarë rruge, i kriminalizuari, prostituta, gruaja shtëpiake

Por ndryshimi po kërkohet kolektivisht, pavarësisht se sa është turbulluar përkatësia ekonomike. Fakti se të gjithë posedojnë kartela banke nuk i bën njerëzit të barabartë. Ata janë të ndarë në mënyrën se si jetojnë, megjithëse sipërfaqësisht nganjëherë duket se jetojnë njëlloj. Pabarazia aq e thellë po i godet të gjitha shtresat nënelitare. Kriza është sociale e ekonomike, por edhe kulturore. E zgjidhja ndodhet brenda të përgjithshmes. Ajo duhet ta tronditë aq fort shoqërinë dhe të prodhojë të renë. Shkëndijat i kemi parë. Nëse s’na kujtohet gjë tjetër, mbajmë mend protestën çlirimtare më 27 janar 2015. Ajo kthen përmbys ngadhënjimin e deritashëm të ideologjisë së pushtetit që ka pohuar se ‘asgjë nuk ndryshon’. Duhet të çelen horizonte të reja. E kjo bëhet duke u bërë bashkë. Duke u bërë shumë. Dhe duke u përgjigjur fort ‘sigurisht që është edhe puna ime’. Duke këmbëngulur në këtë përgjigje si atentat ndaj indiferencës e shpërfilljes politike.

9 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *