Kapitalizmi dhe demokracia

/Wolfgang Streeck/

Kapitalizmit – mënyrë e qytetëruar dhe e padhunshme pasurimi material vetjak përmes këmbimeve tregtare[1] – i është dashur ta nxjerrë veten nga feudalizmi duke ndërtuar aleancë me antiautoritarizmin liberal dhe lëvizjet për demokraci. Prapëseprapë, shoqërizimi historik i kapitalizmit dhe demokracisë ka qenë ngaherë i vështirë dhe i njollosur, sidomos në periudhat e para, me dyshime reciproke të forta. Kapitalistët druheshin se mos demokracia shkonte më larg se ç’duhej, ku shumica e shpronësuar do të hiqte pronën private, kurse klasat punonjëse shqetësoheshin se mos, për të mbrojtur veten nga shpronësimi, kapitalistët do të shfuqizonin zgjedhjet e lira dhe lirinë e shoqërimit. Vetëm pas 1945 kapitalizmi demokratik, ose demokracia kapitaliste, u bë një regjim politiko-ekonomik gjysmë i stabilizuar në pjesën perëndimore të botës së industrializuar, së paku për dy a tri dekadat pas luftës, kur politikat kejnesiane të punësimit të plotë, ekspansioni i shtetit social dhe sindikalizmi i pavarur mbështetën rritjen e lartë dhe të qëndrueshme ekonomike dhe u mbështetën nga këto të fundit.

Kjo nuk donte të thoshte, sidoqoftë, se kapitalizmi demokratik nuk kishte tensione. Si sistem shoqëror, demokracia kapitaliste sundohet nga dy bashkësi divergjente parimesh normative: drejtësia shoqërore nga njëra anë dhe drejtësia e tregut nga ana tjetër, ku e para i mvishet ekonomisë morale të shoqërisë, kurse e dyta qëndron në atë që mund të quhet ekonomia ekonomike. Ekonomia morale e kapitalizmit demokratik reflekton çka njerëzit besojnë se është e drejtë dhe e ndershme, kurse ekonomia ekonomike, ose ekonomia e tregut, i shpërndan burimet duke u bazuar në produktivitetin margjinal dhe, kësisoj, maksimalizon efiçencën. Demokracia i përgjigjet ekonomisë morale të kapitalizmit demokratik, ndërsa tregu është në ekuilibër vetëm kur mund të funksionojë sipas parimeve të ekonomisë ekonomike.

Nga fundi i viteve 1960 nisi të bëhej e qartë se kapitalizmi dhe demokracia nuk mund të ecnin krah për krah pa i vënë pak a shumë shkopinj nën rrota njëra-tjetrës. Drejtësia shoqërore dhe drejtësia e tregut u bënë gjithnjë e më të vështira për t’u pajtuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë, medias dhe teorisë ekonomike standarde për t’i bindur qytetarët se drejtësia e tregut ishte në fakt forma më e lartë e drejtësisë shoqërore. Në fakt është e vërtetë që, nëse njerëzit do të mund të riedukoheshin për ta organizuar jetën e tyre të përbashkët sipas diferencave në produktivitetin margjinal, kapitalizmi do të ishte demokratik pa qenë së brendshmi kontradiktor dhe i brishtë. Megjithatë, deri më tash pjesa më e madhe e shoqërive njerëzore vazhdojnë t’u përmbahen parimeve tradicionale të drejtësisë shoqërore të cilat mund të hyjnë fare kollaj në konflikt me drejtësinë e tregut. Shembuj të tillë do të ishin idetë se njeriu duhet të paguhet sa ç’duhet për punën e vet; se njerëzit nuk duhet të jenë të varfër për shkak të moshës së thyer; se askush nuk duhet të vdesë urie, të mbesë pa kujdes shëndetësor kur është sëmurë apo të jetë i shtrënguar të flejë rrugëve; se në vendin e punës punëtorët duhet të kenë kujt t’i drejtohen për të shmangur ushtrimin arbitrar të autoritetit manaxherial; apo se punëdhënësit duhet t’i paralajmërojnë punëtorët përpara se t’i pushojnë nga puna.

Përderisa kapitalizmi nuk ia ka dalë akoma t’i tresë konceptet popullore të drejtësisë politike në nocionet teoriko-efiçente të drejtësisë së tregut, kapitalizmi dhe demokracia, ose tregu dhe politika, nuk do të reshtin së ndërhyri te njëra-tjetra. Kur ekonomia morale mësyn politikat ekonomike, ajo përthith një tarifë efiçence prej ekonomisë, që vihet re në formën e zvogëlimit të fitimit, ashtu sikundër “ligjet ekonomike” dhe “menaxhimi ekonomik i shëndoshë” pengojnë plotësimin e pretendimeve morale demokratike. Për rrjedhojë, qeveritë gjenden vazhdimisht përballë rrezikut të qenies së shtrënguara të përballen me dy opsione njëlloj të papëlqyeshme: të sakrifikojnë stabilitetin dhe performancën ekonomike për të mbrojtur legjitimitetin demokratik dhe të shpërfillin pretendimet popullore për drejtësi shoqërore në emër të politikave ekonomike të shëndosha. Zakonisht problemi zgjidhet duke u marrë me radhë me dy brirët e dilemës, duke shkuar tutje-tëhu, kur një përgjigje e suksesshme ndaj krizës së legjitimitetit demokratik rezulton në zhdrejtpeshime ekonomike dhe masat e suksesshme ekonomike sjellin pakënaqësi shoqërore.

Tensionet e brendshme të kapitalizmi demokratik, si edhe kufijtë e politikave publike që synojnë t’i menaxhojnë ato, ilustrohen nga sekuenca e krizave që shënojnë historinë ekonomike të demokracive të pasura kapitaliste prej viteve 1970. Pas fundit të rritjes (ekonomike – shën. përkth.) së pasluftës, qeveritë e “botës së lirë” i shmangën konfliktet me sindikatat e fuqishme rreth rritjes së pagave dhe papunësisë duke lejuar nivele të larta inflacioni. Inflacioni, pak a shumë si kredia, shërbeu për të kapur në të ardhmen burime joekzistuese, duke u mundësuar punëdhënësve dhe punëtorëve realizimin në para nominale të pretendimeve, shuma e të cilave ishte më e madhe nga ç’kishte për t’u shpërndarë në të tashmen. Punëtorët besuan se po merrnin atë që e perceptonin si të drejtën e tyre moralo-ekonomike për një standard jetese në rritje të qëndrueshme, të kombinuar me punësim të sigurt, kurse punëdhënësve u mundësohej të korrnin fitimet sipas pritshmërive të të ardhurave të duhura, të vendosura në dekadat e rindërtimit të pasluftës. Inflacioni i vazhdueshëm, sakaq, i zhvlerësoi kursimet e akumuluara dhe i shtrembëroi gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e çmimit. Ngadhënjimi mbi të në fillim të viteve 1980, gjatë “revolucionit të Volcker-it”[2], nuk solli stabilitet. Ai i dha jetë një periudhe rritjeje të borxhit qeveritar, kur politikat elektorale zëvendësuan marrëveshjet kolektive si mekanizmi politiko-ekonomik i kohës për të mobilizuar burimet tepricë me synim pajtimin e konflikteve shpërndarëse, përndryshe përçarëse. Kur në vitet 1990 edhe kjo u bë e papërballueshme, konsolidimi i financave publike mund të arrihej vetëm duke u dhënë akses familjeve në kredinë private të parregulluar, çka u lejonte që të ardhurat në stanjacion dhe pabarazinë në rritje t’i kompensonin duke marrë borxh.

Kthesa e fundit në historinë e kapitalizmit dhe demokracisë ndodhi pas 2008, kur piramida e borxhit më në fund ra dhe borxhi privat, që e kishte humbur vlerën e tij, u desh të shtetëzohej për t’i dhënë likuiditet ekonomisë monetare. Për rrjedhojë pati një rritje dramatike të borxhit publik. Kjo rritje i dha jetë një epoke të re konsolidimi fiskal, që ende po e vuajmë, në të cilën shtetet janë në një presion të paprecedent nga “tregjet financiare” për të shkurtuar shpenzimet për mbrojtje sociale dhe investime, në mënyrë që të sigurojnë kapacitetin për t’u kthyer paratë kreditorëve. Ndërsa vendi i mobilizimit të burimeve të ardhshme për qëllimet e tashme të paqtimit politik është zhvendosur nga marrëveshja kolektive te politika elektorale dhe nga kjo e fundit te tregu i kredisë konsumatore dhe, në fund, borxhi publik, aftësia e demokracisë për të shtrembëruar ekonominë ekonomike në emër të ekonomisë morale është zvogëluar gjithnjë e më shumë. Sot pronarët e kapitalit financiar po bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet kombëtare të zhytura në borxh për ta shpëtuar njëherë e mirë ekonominë ekonomike nga ekonomia morale e detyrimeve shoqërore tradicionale dhe të drejtat e qytetarisë moderne – me mundësi më të mëdha suksesi sesa kurrë më parë gjatë katër dekadave që prej viteve 1970. Përderisa shtetet demokratike po shndërrohen në agjenci kolektive që veprojnë në emër të haute finance[3]-s së re globale, drejtësia e tregut do të ngadhënjejë mbi drejtësinë shoqërore për një kohë të gjatë, në mos përgjithmonë. Ndërkohë, ata që si qytetarë ia kanë besimin e tyre demokracisë kapitaliste duhet t’u lenë vendin atyre që si investitorë kanë vendosur paratë e tyre mbi të.

Studimi i kapitalizmit bashkëkohor në termat e ndeshjes midis ekonomisë morale dhe ekonomisë së tregut lyp një hulumtim më të detajuar në natyrën e pretendimeve shpërndarëse të bazuara në produktivitetin margjinal. Sipas ekonomiksit standard, ato dallojnë prej tagrave shoqërore ngaqë ndryshe nga këto të fundit nuk janë morale dhe subjektive, teknike dhe objektive. Megjithatë, një qasje sociologjike do të na mundësonte të shihnim pas perdes së teorisë efiçente ekonominë morale të pronarëve dhe investitorëve të kapitalit apo, më në përgjithësi, të burimeve prodhuese thelbësore. Koncept kyç këtu është ai i “besimit” të investitorit, siç është analizuar në teorinë politike të Kalecki-t[4] mbi ciklet e biznesit. Në vend se të reagojnë në mënyrë mekanike ndaj normave të fiksuara të të ardhurave të pritshme, pronarët e kapitalit përdorin prononcimet e gjendjes së tyre të vetëdiagnostikuar “psikologjike”, nga pesimizmi në optimizëm, nga paniku në eufori, për të sinjalizuar nëse ajo që po u ofrohet në këmbim për investimin e burimeve të tyre i shkon për shtat asaj për të cilën ndjejnë se kanë tagër. Shprehjet e “besimit investitor” të ulët përdoren strategjikisht në një proces ndërveprues përcaktimi të përbashkët të asaj që investitorët duhen lejuar të marrin prej pjesës tjetër të ekonomisë në kushtet e dhëna të pamjaftueshmërisë dhe të shpërndarjes së pushtetit politik. Këto kohë investitorët në tregjet financiare globale i përdorin luhatjet e normës së interesit që kërkojnë prej shteteve për të financuar borxhin e tyre publik me qëllim që t’i japin forcë kërkesës për politika shtrëngimi edhe më të vendosura. Ekonomia politike e bazuar në veprimin shoqëror dhe jo në efiçencën teorike duhet të jetë e aftë ta shtjetërsojë mekanizmin e tregut të ekonomiksit standard dhe t’i shfaqë formacionet e çmimit dhe fitimit ashtu siç janë: rezultat i një lufte midis koncepteve dhe pretendimeve të papajtueshme të drejtësisë – “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë!” vs “këmbimi i drejtë” – dhe jo midis ideve subjektive të asaj që është e drejtë moralisht nga njëra anë dhe ligjeve objektive të asaj që është e mundshme ose e kërkueshme teknikisht nga ana tjetër.

Përkthimi dhe shënimet: Arlind Qori

I mësipërmi është nënkapitull i artikullit “Si ta studiojmë kapitalizmin bashkëkohor?”, i cili është marrë nga libri i Wolfgang Streeck-ut “How Will Capitalism End?: Essays on a Failing System”, Verso 2016.

Shënime:

[1] Duke harruar nevojën e kapitalizmit për akumulim nëpërmjet shpronësimit, të mbështetur në dhunën e organizuar shtetërore, Streeck-u duket se e konsideron kapitalizmin si “tip ideal” veberian dhe jo si një mënyrë prodhimi logjika e të cilës nuk lind në laboratorët e mendimit abstrakt, por në fushëbetejën e historisë. Për një kritikë më të plotë të këtij aspekti të konceptimit të Streeck-ut, ndiqni artikullin e Adam Tooze-s.

[2] Koncepti u referohet politikave monetariste antiinflacioniste të ndërmarra nga Sistemi i Rezervave Federale (FED) amerikane në drejtimin e Paul Volcker-it.

[3] Financa e lartë, në kuptimin e institucioneve dhe agjentëve më të fuqishëm financiarë globalë.

[4] Michal Kalecki, ekonomist marksist heterodoks, i afërt teorikisht edhe me John Maynard Keynes-in. Streeck-u i referohet një artikulli të shumëpërmendur të Kaleckit mbi problemet e politikave kejnesiane të punësimit të plotë: Political Aspects of Full Employment.

Imazhi: Philosophers for Change

4 e pëlqejnë këtë postim.

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *