Jonathan Swift: Propozim modest

“Propozim modest” është një nga satirat më të mprehta e më të hidhura të shkrimtarit të mirënjohur irlandez Jonathan Swift. Kjo pjesë, e shkruar më 1729, është shkëputur nga vëllimi me satira dhe pamflete “Përralla e fuçisë dhe satira të tjera”. Swift-i mbahet nga kritika letrare si autori satirik më i shquar i letërsisë anglishtfolëse dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore. Ai është autor i romanit të mirënjohur “Udhëtimet e Guliverit”, “Përralla e fuçisë”, “Propozim modest” si dhe i një sërë veprash të tjera satirike, eseve, pamfleteve politike, trakteve, etj. Jo vetëm në këto vepra, por në tërë krijimtarinë e tij, Swift-i demaskon dhe dënon pa reshtur politikën koloniale angleze, shtetin feudo-borgjez të kohës, partitë kryesore në vend (Tory-t dhe Whig-ët), mbretërit dhe mëkëmbësit e tyre, klerin, fenë dhe kishën, pseudo-shkencëtarët, veset e shtresave të larta, kalemxhinjtë dhe pseudo-kritikët e kohës së tij. Swift-i, siç e dëshmon prodhimtaria e tij letrare e politike, ishte një mbrojtës i flaktë i interesave të popullit irlandez kundër pushtuesit dhe kolonizatorëve anglezë, të cilët në bashkëpunim me klasën feudale vendase e kishin shndërruar Irlandën në një çiflig të stërmadh shfrytëzimesh çnjerëzore, vuajtjesh dhe mjerimi të pafund. Janë pikërisht këto klasa, pra të pasurit dhe klasa sunduese angleze, të cilat vihen në qendër të ironisë e kritikës në satirën “Propozim modest”.

Në këtë aspekt propozimi i Swift-it për të nxjerrë të varfrit nga mjerimi shpërfaq, brenda kontureve të satirës, realitetin e vërtetë që qëndron në themel të mjerimit: shtypjen nga ana e çifligarëve, pamundësinë për të paguar qiranë nga mungesa e të hollave, mungesën e një shtëpie apo të veshmbathjeve etj. Në kushtet e një skamje të tillë ekstreme – dhe këtu vijmë te thelbi i propozimit të Swift-it- e vetmja rrugëdalje është që familjet e varfra të fillojnë të lindin sa më shumë fëmijë, më pas t’i therin dhe t’ua shesin për mish të freskët të pasurve dhe klasës sunduese. Vetëm në këtë mënyrë, sipas autorit, shtresat e shfrytëzuara e të nëpërkëmbura mund t’ia dalin mbanë që të mbijetojnë në një sistem shfrytëzimi total. Kështu, në mungesë të organizimit politik të ndërgjegjeve e trupave, e cila do mund ta përmbyste gjendjen në fjalë ose do mund ta ndryshonte sadopak, shohim se e vetmja zgjidhje për ta mbetet përdorimi ekonomik i vetë trupave të tyre. Logjika e rendit feudo-borgjez sipas së cilës trupat e të varfërve shërbejnë vetëm si trupa mishëror shfrytëzimi për të krijuar pasuri, në këtë rast çohet deri në fund, çka do të thotë se për të mbijetuar tashmë janë vetë të  shfrytëzuarit që i shfrytëzojnë trupat e tyre. Paradoksalisht, në një sistem shfrytëzimi e tjetërsimi të përgjithshëm, mohimi i vetes shfaqet si e vetmja mënyrë për të pohuar jetën.

Për ta mbyllur, duhet thënë se është pikërisht në çastin kur satira çohet në ekstrem që realiteti shfaq fytyrën e tij të vërtetë, pasi, siç thotë autori:  “çifligarët, të cilët, pasi kanë përpirë shumicën e prindërve, kanë tashmë të drejtën e padiskutueshme të hanë edhe fëmijët”.

– Alfred Bushi

***

Për të evituar që fëmijët e të varfërve në Irlandë të bëhen barrë për prindërit ose vendin e tyre; dhe për t’i bërë ata të dobishëm për shoqërinë.

Është një pamje e trishtuar për ata që shëtitin në këtë qytet të madh ose udhëtojnë nëpër vend, kur shohin rrugët dhe rrugicat, dyert e kasolleve të mbushura me lypëse të gjinisë femërore, të ndjekura nga pas prej tre, katër ose gjashtë fëmijë, të gjithë të rreckosur, që bezdisin kalimtarët duke u lypur lëmoshë. Këto nëna, në vend që të kenë mundësinë të punojnë për të siguruar jetesën në mënyrë të ndershme, janë të detyruara të harxhojnë tërë kohën e tyre për t’u endur poshtë e përpjetë, që të gjejnë një copë bukë për fëmijët e tyre të pashpresë, të cilët, kur rritën o bëhen hajdutë për mungesë pune, o lënë vendin e tyre të dashur të lindjes, duke shkuar në Spanjë të luftojnë atje për pretendentin e fronit, ose shiten si skllevër në Barbados.

Jam i mendimit se të gjitha palët jemi dakord që një numër i tillë i madh fëmijësh në krahë ose në shpinë të nënave të tyre ose që u sillen atyre nëpër këmbë, e shpesh edhe baballarëve të tyre, në konditat e tanishme të vajtueshme të mbretërisë janë një ba­rrë, shtesë tepër e rëndë për të: prandaj kushdo që do të mund të gjente një mënyrë të drejtë, pa harxhe dhe të volitshme, për t’i kthyer këta fëmijë në anëtarë të shëndoshë dhe të dobishëm të shoqërisë, do të meritonte mirënjohje publike të atillë, që do të duhej t’i ngrihej një përmendore si shpëtimtar i kombit.

Por synimi im është tepër i madh dhe nuk kufizohet vetëm me numrin e fëmijëve të lypësve profesionistë: ai përfshin një gamë shumë më të gjerë, dhe unë marr tërë numrin e fëmijëve të një moshe të caktuar, të lindur prej prindërish që në fakt kanë po aq pak mundësi për t’i mbajtur fëmijët e tyre, sa dhe ata që i drejtohen mëshirës sonë, rrugëve, duke kërkuar lëmoshë.

Për sa më takon mua, duke vrarë mendjen për shumë vjet me radhë për këtë heshtje të rëndësishme dhe duke peshuar me kujdes e pjekuri mjaft skema të projektuesve të tjerë, kam dalë në përfundimin se ata gabohen rëndë në llogaritë e tyre. Është e vërtetë se një fëmijë i porsalindur mund të rritet derisa të mbushë vitin duke u ushqyer vetëm me qumështin e nënës pa pasur nevojë për ushqim tjetër, i cili shumë-shumë nuk do ta kalonte vlerën prej dy shilingash, që nëna pa dyshim mund ta siguronte, qoftë në formë të hollash, qoftë në natyrë, në sajë të profesionit të saj të ligjshëm të lypëses. Dhe janë pikërisht fëmijët e moshës njëvjeçare, për të cilët unë propozoj të kujdesemi në mënyrë të atillë që, në vend që të bëhen barrë për prindërit e tyre ose kishën, ose t’u mungojë ushqimi dhe veshmbathja sa të jenë gjallë, ata, të kundërtën, të kontribuojnë për të ushqyer dhe pjesërisht për të veshur mijëra e mijëra qytetarë.

Ky projekti im ka gjithashtu avantazhin tjetër të evitojë ato abortet me dashje si dhe praktikën e tmerrshme të grave që mbytin fëmijët e tyre të jashtëligjshëm: që, mjerisht, është një praktikë aq e shpeshtë ndër gratë tona, të cilat sakrifikojnë bebet e ngrata e të pafajshme, për t’u shpëtuar, besoj, më tepër shpenzimeve sesa turpit, fakt ky që do të shkaktonte lot dhe mëshirë edhe te shpirtrat më të egra dhe çnjerëzorë.

Numri i frymëve në Irlandë është llogaritur se arrin zakonisht në një milion e gjysmë, midis të cilëve unë mendoj se dalin rreth dyqind mijë çifte, ku gruaja mund të lindë fëmijë, numër prej të cilit unë zbres tridhjetë mijë çifte, të cilat janë në gjendje të rritin fëmijët e tyre; megjithëse ma merr mendja se nuk duhet të ketë kaq shumë në mjerimin e tanishëm në të cilin ndodhet mbretëria: por le ta marrim këtë numër si të vërtetë, atëherë na mbeten njëqind e shtatëdhjetë mijë çifte që mund të bëjnë fëmijë. Këtu përsëri unë zbres pesëdhjetë mijë, për shkak të atyre grave që dështojnë ose që pa mbushur vitin u vdesin fëmijët aksidentalisht ose prej sëmundjeve. Kështu, na mbeten vetëm njëqind e njëzet mijë fëmijë që lindin çdo vit prej prindërish të varfër; prandaj shtrohet problemi se si do të mund të ushqeheshin dhe visheshin këta fëmijë për t’u rritur. Kjo, siç e thashë edhe më sipër, në gjendjen e tanishme është krejtësisht e pamundur të realizohet me metodat e propozuara deri më sot, sepse ne s’mund t’i futim ata të punojnë në zejtari ose bujqësi; ne gjithashtu s’ndërtojmë shtëpira (e kam fjalën në fshat) dhe as punojmë tokën. Rrallë mund të ndodhë që ata të sigurojnë jetesën duke vjedhur pa arritur moshën gjashtëvjeçare, me përjashtim të rasteve kur jetojnë në pjesët e zhvilluara të vendit; megjithëse duhet të pranoj që ata hedhin hapat e parë në këtë zanat shumë kohë më përpara, periudhë gjatë së cilës ata mund të konsiderohen vetëm si stazhierë; kështu më ka thënë një xhentëlmen me rëndësi nga Kantoni i Kavenit, i cili, duke protestuar, më siguroi se ai s’kishte dëgjuar të flitej për më tepër se një ose dy raste për fëmijë nën gjashtë vjeç, bile dhe në ato krahina të mbretërisë që ishin të njohura për shpejtësinë me të cilën përvetësohej dhe praktikohej ky art.

Tregtarët tanë më kanë siguruar se një djalë ose vajzë nën moshën dymbëdhjetëvjeçare nuk është mall që shitet: e madje edhe kur arrijnë në këtë moshë, ata s’t’i blen njeri me tepër se tri stërlina ose të shumtën tri stërlina dhe një gjysmë korone, dhe ky s’është më pazar as për prindërit dhe as për mbretërinë, sepse çmimi i ushqimit dhe i rreckave që nevojiten për ta është të paktën katër herë më i madh se kjo shumë.

Prandaj, tani unë me përunjje do të parashtroj mendimet e mia, të cilat shpresoj se nuk do të hasin as kundërshtimin më të vogël.

Unë jam siguruar prej një amerikani të ditur dhe praktik që kam njohur në Londër se një fëmijë i vogël, i shëndetshëm, i ushqyer mirë, në moshën njëvjeçare është ushqimi më i këndshëm, më i shijshëm dhe më i shëndetshëm, qoftë i fërguar, i pjekur ose i zier, dhe s’e vë në dyshim që ai mund të shërbente po aq mirë i gatuar frikase ose ragu.

Prandaj unë me përunjje i parashtroj opinionit publik që prej njëqind e njëzet mijë fëmijëve, njëzet mijë të ruhen për riprodhim, ku vetëm një e katërta të jenë meshkuj, dhe ky numër është më i madh nga ai që ne u lejojmë dhenve, lopëve dhe dosave; dhe arsyetoj kështu, sepse këta fëmijë rrallë herë janë fryt i martesës, rrethanë kjo që s’para merret parasysh prej kafshëve tona, prandaj një mashkull do të mjaftonte për t’u shërbyer katër femrave. Ndërsa pjesa tjetër prej njëqind mijë, në moshën njëvjeçare, mund t’u shitet fisnikëve dhe të pasurve të mbretërisë sonë, gjithmonë duke këshilluar nënën t’i lërë ata të thithin me bollëk muajin e fundit, me qëllim që të jenë sa më të shëndetshëm dhe të majmur për t’u servirur si duhen në sofër. Me një fëmijë mund të përgatitim dy pjata kur shtrojmë banket për miq; dhe kur familja ha vetëm, çereku i parë ose i pasëm do të mjaftonte për një pjatë mesatare, dhe me pak pi­per e kripë mund ta zienim shumë mirë edhe ditën e katërt, sidomos në dimër.

Sipas llogarive të mia, një fëmijë i porsalindur mund të kushtojë dymbëdhjetë paund, dhe pas një viti, po të jetë ushqyer mirë, ai arrin deri në njëzet e tetë paund.

E pranoj se ky ushqim është pak i shtrenjtë, prandaj dhe shumë i përshtatshëm për çifligarët, të cilët, pasi kanë përpirë shumicën e prindërve, kanë tashmë të drejtën e padiskutueshme të hanë edhe fëmijët.

Mish fëmijësh mund të gjendet gjatë gjithë vitit, por me bollëk në muajin mars, si dhe pak përpara dhe pas tij, sepse, siç na thotë një autor serioz[1]), një mjek i shquar francez, meqë peshku shton pjellorinë, në vendet katolike rreth nëntë muaj mbas kreshmëve të mëdha lindin fëmijë më shumë se në çdo stinë tjetër; kështu një vit pas kreshmëve të mëdha tregjet do të mbushen më tepër se zakonisht, se­pse proporcioni i fëmijëve të papistëve me të tjerët është të paktën tre me një, në këtë mbretëri, dhe kështu do të kemi edhe një avantazh tjetër, atë të pakësimit të numrit të papistëve te ne.

Unë e kam llogaritur shpenzimin për të ushqyer një fëmijë lypësi (listë në të cilën llogarit tërë fshatarët, punëtorët dhe katër të pestat e fermerëve të vegjël) dhe më del rreth dy shilinga në vit, duke përfshirë këtu edhe rreckat; dhe besoj se s’ka xhentëlmen të mos pranojë të paguajë dhjetë shilinga për një fëmijë të therur, mjaft të majmur, i cili, siç kam thënë, do të mjaftonte për katër pjata gjellë me mish të shkëlqyer e të ushqyeshëm, sa herë që xhentëlmeni ka për darkë vetëm miq të ngushtë ose familjen e vet. Kështu, ky çifligar do të mësojë të bëhet një pronar dhe padron i mirë dhe do t’i dalë nami ndër bujqit e tij dhe banorët, sepse nëna e fëmijës do të ketë tetë shilinga fitim neto dhe do të jetë e aftë për punë derisa të bëjë fëmijën tjetër.

Ata që janë më ekonomiqarë (duhet ta pranoj se koha e lyp një gjë të tillë) mund ta rrjepin trupin e therur, me lëkurën e të cilit, pasi të jetë regjur mirë, mund të bëjnë dorashka të mrekullueshme për zonja dhe këpucë të lehta vere për xhentëlmenë elegantë.

Ndërsa për qytetin tonë, Dublinin, mund të ngrihen thertore në pjesët më të përshtatshme të tij, dhe të jemi të sigurt se nuk do të mungojnë kasapët, megjithëse unë rekomandoj që fëmijët të blihen më mirë të gjallë dhe të gatuhen ashtu akoma të ngrohtë, fill pas therjes, siç bëjmë kur pjekim derrkucët.

Një person shumë i vyer, një atdhetar i vërtetë, të cilit ia çmoj shumë virtytet, disa ditë të shkuara u kënaq së tepërmi, kur, duke diskutuar me mua këtë problem, më sugjeroi një përmirësim të mëtejshëm drejt përsosjes së projektit tim. Ai tha se shumë xhentëlmenë në këtë mbretëri kohët e fundit e kanë shfarosur gjahun e drerëve: prandaj ishte i mendimit se mishi i drerit shumë mirë mund të zëvendësohej me trupat e djemve dhe vajzave që s’i kanë kaluar të katërmbëdhjetë vjeçët, por jo dhe nën dymbëdhjetë vjeç: pasi një numër shumë i madh fëmijësh të kësaj moshe, nga të dyja sekset, në çdo krahinë janë në prag të vdekjes për bukën e gojës, për shkak të mungesës së punës dhe të shërbimeve. Kështu, në kanë mbetur akoma gjallë, ata mund të hiqen qafe prej prindërve ose të afërmve të tyre. Por me gjithë respektin e duhur që kam për këtë mik të shkëlqyer, për këtë patriot të merituar, unë nuk jam krejtësisht i një mendimi me të. Sepse për sa u përket meshkujve, i njohuri im amerikan, nga eksperienca e tij e pasur, më ka siguruar se mishi i tyre është i fortë dhe pa lyrë, si ai i djemve tanë që shkojnë në shkollë, të cilët lëvizin vazhdimisht, dhe shija e këtij mishi është jo fort e këndshme, ndërsa për t’i majmur ata nuk ia vlen barra qiranë. Pastaj, për sa u përket femrave, me përunjje të thellë, jam i mendimit se një veprim i tillë do të ishte një humbje për shoqërinë, pasi ato së shpejti do të bëheshin vetë pëlla: dhe përveç kësaj nuk është e pamundur që persona me shu­më skrupull mund të kenë prirjen ta kritikojnë një praktikë të tillë (megjithëse, aspak me të drejtë) si të vulosur me vulën e mizorisë, ndaj së cilës e pranoj se kam qenë gjithmonë me forcë kundër, si dhe kundër çdo projekti të tillë mizor, sado i dobishëm që mund të ketë qenë.k

Por për të justifikuar mikun tim, duhet thënë se ai e pohoi që këtë marifet ia kishte shtënë në tru i famshmi Salmanaazor, lindur në ishullin e Formozës, i ardhur prej andej në Londër, këtu e njëzet vjet më parë, dhe në bisedë me mikun tim i kishte thënë atij se në vendin e vet, kur një person i ri në moshë dënohej me vdekje, xhelati u shiste fisnikëve të lartë trupin e të ekzekutuarit, si një artikull ushqimor të rrallë: dhe pikërisht në atë kohë, trupi i kryqëzuar i një vajze të kolme pesëmbëdhjetëvjeçare, e cila kishte tentuar të helmonte perandorin, iu shit për katërqind korona, kryeministrit të lartmadhërisë së tij imperiale dhe mandarinëve të tjerë të Oborrit copa-copa drejt e prej karamanjollës. Dhe s’mund ta mohoj se, po të bëhej i njëjti veprim me disa prej vajzave të kolme të këtij qyteti tonë, të cilat, edhe pse pa një grosh në xhep, nuk mund të dalin jashtë shtëpie pa pajton dhe shkojnë në teatër e nëpër klube me veshje e zbukurime të ardhura nga jashtë, për të cilat ato s’paguajnë kurrë: në këtë rast mbretëria nuk do të kishte ndonjë dëm ose humbje të madhe.

Disa persona me shpirt të trazuar janë në merak të madh për fatin e numrit të shumtë të të varfërve në janë të moshuar, të sëmurë dhe të gjymtuar, dhe më kërkuan mua të vrisja mendjen se çfarë rruge mund të ndiqej për të lehtësuar kombin nga kjo barrë kaq e mundimshme. Por unë nuk bëhem aspak merak për ta, sepse dihet fort mirë që ata po vdesin çdo ditë dhe kalbëzohen nga të ftohtët, uria, pisllëku dhe parazitët me shpejtësinë që mund të pritet në këto raste. Ndërsa për sa u takon punëtorëve të rinj ata tani janë pothuaj në po atë gjendje të pashpresë sa edhe të parët: ata s’gjejnë dot punë dhe, si pasojë, treten për mungesë ushqimi në një shkallë të atillë, saqë, edhe në qoftë se rastësisht mund të merren përkohësisht në ndonjë punë nga më të zakonshmet, ata nuk kanë fuqi ta kryejnë atë: dhe kështu vendi dhe ata vetë shumë shpejt do të shpëtojnë nga hallet dhe të këqijat për të ardhmen.

Jam larguar tepër nga tema, prandaj dhe do t’i rikthehem asaj përsëri. Mendoj se avantazhet e projektit që kam propozuar janë të dukshme, të shumta dhe me rëndësi të dorës së parë.

Sepse, së pari, siç kam vënë në dukje edhe më sipër, zbatimi i këtij projekti do të pakësonte së tepërmi numrin e papistëve, të cilët çdo vit lindin shumë më tepër te ne, aq sa po na marrin frymën dhe janë riprodhuesit kryesorë të kombit tonë, por në të njëjtën kohë edhe armiqtë tanë më të rrezikshëm, të cilët qëndrojnë në atdhe me qëllim, për t’ia dorëzuar mbretërinë tonë pretendentit, duke përfituar nga mungesa e protestantëve të mirë dhe të shumtë, të cilët kanë preferuar më mirë të marrin rrugën e mërgimit, sesa të qëndrojnë në atdhe e t’i paguajnë të dhjeta, kundër dëshirës së tyre, një mëkëmbësi të kishës episkopale.

Së dyti, banorët e varfër argatë do të kenë diçka të tyren me një farë vlere, e cila me ligj mund të përdoret për t’i bërë ballë mjerimit, duke i paguar taksën çifligarit, pasi bereqeti i tyre dhe gjëja e gjallë u janë marrë me kohë, ndërsa paraja për ta është diçka e panjohur.

Së treti, meqë mbajtja dhe rritja e njëqind mijë fëmijëve prej dy vjeç e lart nuk mund të llogaritet më pak se dhjetë shilinga për kokë në vit, të ardhurat kombëtare do të rriten kështu pesëdhjetë mijë sterlina në vit: pa përmendur këtu avantazhet e një gjelle të re që do të serviret në tryezat e pasanikëve të mbretërisë, që dinë të shijojnë gjellët e zgjedhura; dhe kështu paraja do të qarkullojë ndërmjet nesh, mallrat do të jenë krejtësisht të prodhimit dhe të markës sonë.

Së katërti, riprodhuesit e përhershëm, përveç fitimit prej tetë shilingash në vit, që do të sigurojnë duke shitur fëmijët e tyre, do t’u shpëtojnë edhe telasheve dhe shpenzimeve të rritjes së tyre mbas moshës njëvjeçare.

Së pesti, ky ushqim do të krijojë gjithashtu traditën e madhe të funksionimit të tavernave, ku gjellë-bërësit do të shpikin recetat më të mira për gatimin e tij sa më të përsosur, dhe, si pasojë, lokalet e tyre do të mbushen me gjithfarë xhentëlmenësh elegantë, të cilët, me të drejtë, e vlerësojnë veten si njohës të zotë të gjellëve të zgjedhura: dhe një gjellëbërës usta dhe i shkathët, i cili di t’i tërheqë klientët, do të mund t’i ngrinte çmimet sa t’i donte qejfi.

Së gjashti, ky projekt do të ishte një nxitës i madh për martesë, të cilën çdo komb i urtë o e inkurajon me shpërblime, o e detyron me ligje dhe dënime. Ai do të rriste kujdesin dhe dhimbsurinë e nënave për fëmijët e tyre, sepse kështu, nëpërmjet fëmijëve të tyre të varfër, shoqëria u siguron atyre në njëfarë mënyre jetesën, dhe, në vend të shpenzimeve për ta, ato do të kenë një të ardhur vjetore. Kështu, së shpejti ne do të jemi dëshmitarë të një emulacioni të ndershëm midis grave të martuara, kush e kush prej tyre të nxjerrë në treg fëmijë sa më të shëndoshë e të majmë. Burrat do të tregohen më të kujdesshëm dhe më të dashur për gratë e tyre gjatë barrës, po ashtu siç bëjnë sot me pelat që presin mëz, me lopët që presin viç dhe me dosat në prag të pjelljes së gicave, dhe nuk do të guxojnë t’i rrahin ato (praktikë kjo tepër e dendur te ne), nga frika se mos dështojnë.

Ka dhe shumë avantazhe të tjera që do të mund të numëronim. Për shembull rritja në disa mijë kokë e eksportit të mishit të konservuar: përhapja e mishit të derrit dhe përsosja në artin e përgatitjes së mi­shit të tij të tymosur, për të cilin ndihet mungesë aq e madhe te ne për shkak të konsumit tepër të madh të derrit, aq të shpeshtë në tavolinat tona, por që në asnjë mënyrë s’mund të krahasohet, si nga shija, edhe nga pamja, me mishin e një fëmije njëvjeçar të majmur si duhet, i cili, i tëri i pjekur, do të bënte një figurë mjaft të mirë në një banket të kryetarit të bashkisë ose në ndonjë tjetër gosti publike. Por unë nuk do të ndalem te ky ose të ndonjë tjetër avantazh i tillë sepse më duhet t’i bie shkurt.

Po të supozojmë se një mijë familje të këtij qyteti do të bëhen konsumatore të rregullta të mishit të fëmijës, përveç të tjerave që do të blejnë vetëm me raste festash, dasmash dhe pagëzimesh, mua me del se Dublini do të harxhojë rreth njëzet mijë kokë në vit, dhe pjesa tjetër e mbretërisë (ku ato ndoshta mund të shiten disi më lirë) do të konsumojë tetëdhjetë mijë të tjerat.

Nuk mund ta marr dot me mend se çfarë kundërshtimesh mund të haste ky propozim: vetëm në rast se mund të vihej në dukje pakësimi i madh që do të pësonte popullsia e mbretërisë. Këtë unë e pranoj         pa druajtje, dhe është pikërisht kjo arsyeja kryesore që unë i dal botës me një propozim të tillë. Dua që lexuesi të vërë re që ky ilaç destinohet vetëm për mbretërinë e Irlandës dhe për asnjë mbretëri tjetër që mund të ketë qenë, është dhe do të jetë në këtë botë. Dhe asnjëri të mos marrë më mundimin të më flasë për mënyra të tjera, siç janë pagimi i taksës prej 25 përqind për çdo sterlinë prej atyre që kanë lënë vendin e tyre dhe jetojnë jashtë tij; mospërdorimi i veshjeve dhe i mobiljeve që s’janë prodhim vendi; heqja dorë krejtësisht prej materialeve dhe mjeteve të tjera që nxitin luksin e huajtur prej vendeve të tje­ra; pakësimi i shpenzimeve të tepërta që na imponon krenaria, kotësia, përtacia dhe vënia në bixhoz e grave tona; bërja edukatë e ndjenjës së kursimit, maturisë dhe të përmbajturit: të mësuarit për të dashur vendin tonë, ku ne ndryshojmë dhe mbetemi pas laplandezëve dhe banorëve të Topinambos; heqja dorë prej armiqësive, tarafëve dhe të mos veprojmë më si çifutët, që vrisnin njëri-tjetrin, edhe kur qyteti i tyre po binte në duart e armikut; të qenurit pak të kujdesshëm që të mos e shesim vendin dhe ndërgjegjen tonë për hiçgjë; edukimi i çifligarëve me ndjenjën e një thërrime mëshire ndaj bujqve dhe argatëve të tyre dhe, së fundi, brumosja e tregtarëve tanë me shpirtin e ndershmërisë, të punës dhe të zanatit, të cilët, po të merrej tani vendimi për të blerë vetëm mallrat e prodhuara në vend, do të bashkoheshin në çast, si e si të na mashtronin për çmimin, të na hanin në kandar dhe cilësi; dhe as që do të ishte e mundur t’u mbushej mendja për të bërë tregti të ndershme, për të cilën u është bërë thirrje shpesh dhe seriozisht.

Prandaj e përsërit, të mos më dalë më njeri të më flasë për këto metoda ose të tjera si këto: pa pasur të paktën një fije shprese se ndonjëherë mund të bëhet ndonjë përçapje e përzemërt dhe e sinqertë për t’i vënë ato në jetë.

Ndërsa për sa më takon mua, unë, pasi jam lodhur për shumë vjet me radhë duke propozuar idera të kota të padobishme dhe të parealizueshme, derisa më mbyti dëshpërimi për mosarritjen e suksesit, për fat të mirë, më në fund, më lindi ky propozim, i cili, meqë është një propozim krejtësisht i ri, ka në vetvete diçka solide dhe reale; ai s’ka shpenzime, as shqetësime dhe varet kryekëput në dorën tonë për ta vënë në jetë; e madje s’kemi nevojë as të ngatërrojmë Anglinë në këtë mes, sepse ky lloj malli nuk e duron eksportimin, pasi mishi është tepër i brishtë dhe delikat dhe nuk mund të ruhet për kohë të gjatë në kripë; megjithëse unë ndoshta do të mund të përmendja këtu një vend, i cili me kënaqësi do të përpinte tërë kombin tonë, qoftë dhe të pakripur.

Më në fund duhet të them se unë s’kam rënë në dashuri dhe s’jam kapur në mënyrë të verbër pas projektit tim, sa të kundërshtoj çdo propozim tjetër të bërë prej njerëzish të urtë e të mençur; këto mund të jenë projekte po aq të padjallëzuara, pa shpenzi­me, të lehta për t’u vënë në praktikë dhe efikase. Por para se të paraqesim diçka të këtij lloji, në kundërshtim me projektin tim, unë do t’u lutesha atyre të shqyrtonin në mënyrë të pjekur dy pika. Së pari, siç qëndrojnë punët sot, si të munden ata të gjejnë ushqim dhe veshmbathje për njëqind mijë gojë dhe trupa të padobishëm? Dhe, së dyti, ekzistojnë rreth një milion krijesa me fytyrë njeriu në tërë mbretërinë, dhe për të siguruar jetesën e tyre do të duhej t’i shkaktohej bilancit të përgjithshëm të të ardhurave një defiçit prej dy milionë sterlinash, të shtojmë këtu edhe lypësit profesionistë, pjesën dërrmuese të fshatarëve dhe të punëtorëve së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët në fakt janë lypës; prandaj dua që ata politikanë që do të ishin kundër propozimit tim dhe ndoshta do të merrnin dhe guximin të më përgjigjeshin me kritika, pikësëpari të pyesnin prindërit e këtyre krijesave të vdekshme nëse ata nuk do ta quanin sot një lumturi të vërtetë, po të ishin shitur për ushqim në moshën njëvjeçare, sipas mënyrës që përshkruaj unë; kështu do të qenë shmangur skenat e përjetshme të mjerimit, nëpër të cilat ata kanë kaluar deri më sot, për shkak të shtypjes nga ana e çifligarëve, pamundësisë për të paguar qiranë; për shkak të mungesës së të hollave dhe tregtisë; për shkak të skamjes së madhe, sa ata s’kanë ku të futin kokën ose rroba të hedhin trupit për t’u mbrojtur prej ashpërsisë së motit; si dhe për shkak të perspektivës absolutisht të pashmangshme që këtë mjerim, në mos më të madh akoma, ata t’ua lënë trashëgim pasardhësve të tyre brez pas brezi.

Unë shpall nga thellësitë e shpirtit tim se për vete s’kam as interesin më të vogël personal në përpjekjet e mia për të propaganduar këtë projekt të nevojshëm dhe s’kam asnjë motiv tjetër veç së mirës publike të vendit tim, për të zhvilluar tregtinë, për t’u kujdesur për fëmijët, për të lehtësuar të varfrit dhe për t’u ofruar kënaqësira të reja të pasurve. Unë nuk kam fëmijë, që do të mund të më siguronin qoftë edhe një qindarkë të vetme, sepse më i vogli prej tyre është nëntë vjeç, ndërsa gruan e kam tepër plakë për të bërë fëmijë të tjerë.

Përktheu: Shpëtim Mema

Shkëputur nga: “Përralla e fuçisë dhe satira të tjera”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1980.

Shënim:

[1] Rable.

Imazhi: Një familje e vuajtur, Erskine Nicol, vaj në kanavacë, 1853

10 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *