Feminizëm militant

/Redi Muçi/

Dhuna ndaj grave nuk është vetëm pasojë e moszbatimit të ligjit. Është fenomen i një shoqërie që prapakthehet te morali kanunor i patriarkalizmit dhe i “të fortit” sepse ky ka qenë terreni i zhvillimit kapitalist të çerekshekullit të fundit.

Regjimit i shkuar diktatorial kishte nevojë për fuqinë punëtore të grave dhe vajzave të fshatit, të cilat merrnin statusin e punëtorit apo të inteligjencies së re profesionale. Prandaj thyerja e normave morale prapanike, që gruan e shihnin si makinë riprodhimi, kafshë pune dhe të mbyllur brenda mureve të shtëpisë, u krye në mënyrë autoritare të imponuar nga lart. Për më tepër, vizioni i njeriut të ri, në të cilin gruaja ishte e barabartë me burrin, i përshtatej qëllimit të sipërpërmendur dhe përbënte një bazë ideologjike për karakterin progresist të regjimit. Presioni kolektiv ndaj akteve të dhunës ndaj grave, megjithëse të komanduara nga burokratët lokalë dhe të mbështetura mbi një aparat represiv, kishin efekte konkrete në çdo fshat apo krahinë sado të largët.

Zhvillimet e pasvitete ’90 me valën e emigracionit, sollën edhe traumën sociale të prostitucionit të shumë vajzave të reja nëpër vendet fqinje, për të cilat rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqërinë shqiptare ishte – dhe vazhdon të jetë – thuajse i pamundur. Rrjedhimisht, kjo solli një zhvendosje regresive ndaj normave morale konservatore të “nderit të familjes” të cilin e ruan “pastërtia” e gruas, ndërkohë që burri vazhdon jetën prej emigranti, si një rikthim në kohë në fillimvitet e shek. XX. ku burrat e fshatit emigronin diku larg – në Amerikë, Australi a Egjipt – dhe gratë i shihnin një herë në 5 vjet, sa për të përmbushur detyrimet martesore.

Emigrimi dhe përqendrimi i popullsisë nëpër qendrat urbane u shoqërua me një braktisje dhe prapambetje të plotë – kulturore dhe sociale – të periferive, të cilat iu rikthyen normave kanunore. Për gratë dhe vajzat e periferive, socializimi nëpër qendrat e shfrytëzimit të fasonerive sot përbën ndoshta mundësinë minimale për të dalë nga qerthulli i moralit dhe aktivitetit brendafamiljar.

Për më tepër duhet pranuar se etaloni social i suksesit ka qenë figura e “të fortit”. Atij që fiton para duke rrezikuar, duke u marrë me aktivitet kriminal si tutor prostitutash apo kultivues e trafikant droge, i cili jo vetëm që i ka shpëtuar ndëshkueshmërisë së ligjit, por është bërë bashkëpunëtor me partitë politike duke financuar fushatat e tyre elektorale, duke siguruar vota në lokalitetin e vet, e duke u zgjedhur si përfaqësues në parlament. Ky është shembulli i politikanit që s’e ka për gjë të pështyjë policin e trafikut, të të drejtojë koburen, të ketë 3-4 sekretare me funksion të vetëm “shukrizimin”, e rrjedhimisht të rrahë gruan.

Në një kontekst të tillë social, feminizmi nuk mund të marrë vetëm pozicionin e viktimës që i kthen sytë nga ligji. Feminizmi duhet të ketë karakter militant; të sulmojë të gjitha aspektet sociale që e nxitin dhe e normalizojnë dhunën ndaj gruas. Duhet të ngrejë zërin për trajtimin social të ish-prostitutave që kthehen në atdhe, për mundësitë e shkollimit dhe ngjitjes së shkallares sociale të vajzave dhe grave të periferive e të fasonerive, e madje edhe për kulturën e pandëshkueshmërisë së politikanit-gangster e të gangsterit-politikan. Burri në shtëpi që rri shtrirë para televizorit e kundron kryeministrin kapadai dhe Skënderbeun mbi kalë, më mirë të ngrihet të lajë pjatat, ai k*r.

13 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *