Zgjedhja antikushtetuese e Presidentit të Republikës

Yllka Lamçe

Zgjedhja e ministrit Bujar Nishani si President i Republikës në ditën e djeshme është antikushtetuese. Të vjen keq të konstatosh se si një proces i artikuluar aq hollësisht e rregullisht ndër media e analistë, për të mos folur për rolin e këshilltarëve ligjorë të forcave politike të përfshira në proces, përfundon në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës. Duke lënë mënjanë një sërë detajesh absurde të procesit, lidhur me mënyrën se si u prezantuan kandidatët, riciklimin e dyshimtë të firmave të deputetëve, apo për djegien absurde të tre raundeve të para, aq thelbësore për t’i dhënë një shans pozitiv procesit, mbetet antikushtetueshmëria e hapur e zgjedhjes të paktën në një moment: atë të paraqitjes së një ministri në detyrë si kandidat për President, pa dorëheqjen paraprake dhe në kohën e duhur të ministrit nga detyra. E jo të një ministri të çfarëdoshëm, periferik, apo pa portofol, por me një nga portofolet më të rëndësishme, atë të punëve të brendshme, që nënkupton një politizim e sidomos partitizim të skajshëm të kandidatit për detyrën më apartiake të mundshme, atë të Presidentit të Republikës, që duhet të përfaqësojë mbarë popullin, të jetë mbi palët, etj. arsyetime të llojit.

Bëhet fjalë për shkeljen e normës kushtetuese që parashikon kushtet e pazgjedhshmërisë të një sërë kandidatësh për detyra shtetërore si deputetë, gjyqtarë, prokurorë, ushtarakë në shërbim aktiv, etj., ndër të cilët figuron edhe Presidenti i Republikës. Neni 69, paragrafi 1 i Kushtetutës, rregullon kushtet e pazgjedhshmërisë për një grup detyrash publike, lidhur me të cilat nuk lejohet që një kandidat në detyrë të hyjë në garë apo të zgjidhet në detyrën tjetër, pa dhënë dorëheqje paraprake. Kushtet e pazgjedhshmërisë ndryshojnë nga ato të papajtueshmërisë. Këto të fundit nënkuptojnë mundësinë për të hyrë e fituar një garë, dhe mundësinë e zgjedhjes nga personi që mbulon dy detyra të njërës prej tyre. Papajtueshmëritë rregullohen nga paragrafët 2 dhe 3 të nenit 70, ndërkohë që pazgjedhshmëritë rregullohen nga neni 69, paragrafi 1. Thelbi i çështjes qëndron pra në dallimin mes kushtit të pazgjedhshmërisë që nuk lejon hyrjen në garë e as kandidimin, dhe kushtit të papajtueshmërisë që lejon qoftë edhe për pak kohë bashkëjetesën e dy detyrave ndër të cilat kandidati ka në dorë zgjedhjen.

Në rastin në fjalë gjendemi përballë kushtit të pazgjedhshmërisë të kandidatit ministër në detyrë si President të Republikës. Nëse Presidenti i Republikës kërkon të kandidojë si deputet (e mbase eventualisht të zgjidhet edhe ministër), ai duhet që paraprakisht të heqë dorë nga detyra që ka. Në mënyrë simetrike rregulli vlen për rastin kur një ministër, për më tepër deputet në Kuvend, kërkon të kandidojë për President. Në rast të kundërt, sipas paragrafit 2, të nenit 69, mandati i fituar në kundërshtim me këtë rregull është i pavlefshëm. Në këtë kuptim vijnë në ndihmë jo vetëm dispozitat e sapopërmendura, por edhe të tjera parime kushtetuese si ai i ndarjes së pushteteve, të shkëputjes së Presidentit nga forcat politike për të qenë mbi palët, si dhe të një doktrine tradicionale tashmë mbi rolin e Presidentit në republikën parlamentare të Shqipërisë.

Për pasojë, zgjedhja e ministrit në detyrë Bujar Nishani si President i Republikës, është e pavlefshme, dhe ajo çka është më e rëndësishme, është antikushtetuese.

1 person e pelqen kete postim.