Pse të votojmë?

Hardi Gurga

Pesimizmi është ajo çka gjen më lehtësisht tek çdo shqiptar i ndershëm sot në Shqipëri. Por pas një të keqeje e mira nuk vonon të vijë. Për fat të mirë kjo situatë mund të ndryshohet, mënyra sesi mund të realizohet është shumë e lehtë, dhe të gjithë ne kemi mundë të vendosim vetë se cila mund të jetë më e mira për ne dhe vendin tonë, ose minimalisht të japim mendimin tonë se cilët mund të jenë ata që do mund të bëjnë më të mirën e mundshme për ne. Nuk duhet kurrë të harrojmë që ne jemi ata të cilët vendosim nëse një politikë duhet të vazhdojë të ekzistojë ose jo, nëse ajo është e drejtë ose zhdrejtë. Ne kemi diçka me shumë vlerë në dorë të dashur qytetarë, ajo është vota jonë, ku me të mund të “dënojmë” ose të “vlerësojmë” këto parti politike që për fat të mirë ose për të keq po na udhëheqin.

Në datë 23 qershor ne duhet të shkojmë denjësisht të votojmë, nëse një shtetas i papërgjegjshëm heq dorë nga e drejta e votës atëherë ai po heq dorë të kërkojë llogari në të ardhmen politike dhe në një qeveri e majtë ose e djathtë qoftë ajo. Ajo çka po shtohet me një shpejtësi të rrezikshme është indiferenca ndaj votimeve të “VIRGJËRA” që zhvillohen në vendin tonë. Të jesh indiferent ndaj të drejtës për të votuar është njësoj si të jesh indiferent ndaj të ardhmes tënde dhe të familjes tënde. Indiferentizmi ndaj politikës është fenomeni më i rrezikshëm për popullin tonë mjeran e të varfër. Nuk më intereson politika,të bëjnë vetë ç’të duan, dëgjon shpesh të flitet në bisedat mes miqsh. Por si mund të jesh kaq indiferent ndaj politikës o njeri, është shumë absurde. Të mos kesh interes për politikën nuk është e thënë të kesh interes ndaj forcave politike, të jesh indiferent ndaj politikës është e njëjtë si të thuash nuk ke interes për jetën, nuk ke interes për familjen tënde, s’ke interes për të ardhmen e fëmijëve të tu, nuk të intereson të dish që ti nesër do kesh një punë apo jo, që do paguash më shumë taksa apo do të paguash më shumë. Do “jetosh” apo jo, kur të shkosh në spital do gjesh doktorë apo do gjesh persona të njëjtë me filmat horror,do kesh siguri për jetën, kur të telefonosh policinë do të të përgjigjen e do të vijnë në ndihmë apo jo?

Nuk është zgjidhje aspak e drejte heqja dorë nga e drejta për të votuar, të heqësh dorë nga vota është e njëjtë si të heqësh dorë nga interesi që ti shfaq për jetën tënde. Sot në vitin 2013 ajo çka na ka mbetur në dorë është vetëm VOTA,me anë të saj ne mund të riorganizojmë jetën tonë, të ardhmen tonë. Politika ka shumë nga ata që ne i quajmë “politikanë” si të mirë edhe të këqij, ka nga ata që kanë punuar për “POPULLIN” ka edhe nga ata që kanë bërë diçka të “vogël fare“ për xhepin e tyre.

Beteja e madhe po afron ajo është shumë pranë, në 23 qershor duhet të shkojmë të gjithë drejt kutive të votimit, që mos të lëmë të ardhmen tonë në duar të gabuara, nuk duhet të lejojmë më që të luhet kaq pisët me jetët tona. Në 23 qershor duhet të “dënojmë” me votën tonë ata që po tentojnë te na shkurtojnë jetën me mbetje toksike, duke sjellë në Shqipëri plehra nga mbarë bota, ti shfarosim nga politika ata që po shesin vendin tonë. Në të ardhmen nuk duhet të kemi më të bëjmë me “aktorë filmash horror”, ose siç quajmë në botën e kulturuar “doktorë”, ku ti shkon për një dhimbje barku dhe të operojnë e të heqin veshkën. Me anë të votës sonë të zgjedhim ata persona që janë më të dobishëm për popullatën, që në të ardhmen të jemi të sigurt e jo kur të telefonojmë policinë për një shqetësim që kemi dhe të na japin një përgjigje kalimtare, duke mos i dhënë kurrë zgjidhje shqetësimit të qytetarëve,në këtë rast më lind pyetja a duhen respektuar kaq shumë këta police “të devotshëm”? Duhet të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, nuk duhet të jemi indiferentë edhe për të ardhmen e pafajshme të tyre, sepse tek rinia është e gjithë shpresa dhe e ardhmja,nuk mund të dënojmë me anë të indiferencës politike të ardhmen ë Shqipërisë. Duke shkuar masivisht drejt kutive të votimit ne i themi boll disa fenomeneve të turpshme, siç janë punësimet e militantëve të partive në pushtet, heqja nga puna nëse ti mbështet një force tjetër politike jo ne pushtet, heqja e të drejtës së fjalës.

Duhet ti themi mjaft dhunës që i bëhet fëmijëve minorenë për të mbushur sheshet ku partia në pushtet do të bëjë mitingjet, presionet e ndryshme që nëse nuk je i pranishëm nëpër mitingje nesër mos hajde në punë etj, etj. Pse kjo është demokracia që ne kërkojmë? Demokracia në vendin tonë është pronë private e një individi që nuk duhet të ekzistojë absolutisht fare në jetën politike të këtij vendi. Që ne ti tregojmë këtyre pushtetarëve se populli nuk është në gjumë le të shkojmë të gjithë të votojmë në datë 23 qershor duke i dënuar përgjithmonë me vdekje politike të gjithë ata që na e kanë bërë jetën mision të pamundur tërë këto vite. Në 23 qershor duhet të votojmë për të ardhmen e një brezi të ri që ka nevojë për shpresë. Vota e 23 qershorit është një votë për të ringjallur shpresën. VOTONI!

Pelqeje i pari.