Andi Kananaj
Shpresa e rreme se duke zgjedhur President të mirë do të mund të jemi më të lumtur, duket se ka zënë vend në litigationin kombëtar përpara se t’i lërë lehtësisht vendin debateve të Evropianit ku me të njëjtën kompetencë djem e vajza, burra dhe burra, nga jugu në veri do të sygjerojnë skemat me të cilat duhet të lozë Italia e Prandelit, apo Spanja e Del Boskes. Lehtësia e padurueshme me të cilën priten ngjarjet, duket se favorizon ecejakjet e padobishme të qeverisë që na qeveris me të njëjtën lehtësi të padurueshme me të cilën të kruajnë hundën në semafor homo-shoferët e këtij vendi pa president serioz. Pse të jem mërzitur kaq shumë vallë? Thua se nuk e di që qenia ende pa emër që do fillojë të pushojë në ambientet presidenciale, do të falenderojë në heshtje dhe do të fillojë punën si noter i rëndomtë i veprimeve të qeverisë. Thua se nuk e di, atë që duket se e dinë të gjithë?
Nano? Jozi? Apo Zaganjori? Jozi apo Nano? Zaganjori, apo procesi nga do dalë një emër? Flitet me pasion ekzotik sikur të mos kishim patur kurrë një president. Sikur njeriut që do t’i vëmë mbi krye dafinat të ketë fuqi të krahasueshme me ato të një Ufo-je nga ndonjë galaktikë me zgjidhje perfekte, ose të një gjyshi Vudu, me skelete të varur në të ardhmen që s’vjen. Emri për një post honorifik është i parëndësishëm. Nëse e gjithë vlera do të rrinte te emri atëherë presidenti do ish’ mëkat të zgjidhej një herë në 5 vjet, kjo vetëm për dy mandate të mundshme. Nëse emri do të bënte diferencën, atëherë presidenti do ish’ i përjetshëm, me mandat të dyfishtë nëse do të mundej. Në një vend si i yni ku më i rëndësishmi është ambasadori amerikan, edhe ai zëvendësohet në kohën e duhur përpikmërisht. Thuhet që me 71 vota ka shanse Jozefina, ka shanse edhe Nano. Jozi për të përgatitur largimin me dinjitet nga gara për kryetar PD-je. Berisha ka moshën për të menduar dhe për stafetën. Jozi është një Mehmet Sheh i pakontrollueshëm, kurse Luli megjithëse ngjan frikshëm me një Enver, mbetet një Ramiz servil dhe i kontrollueshëm. Nano ka shanse se mund të krijojë ekuilibra të tjerë brenda të majtës. Por Nano mbetet i rrezikshëm dhe zgjedhja e tij është rënie e lirë atje ku askush nuk mund ta parashikojë. Një Nano i shmangur me kujdes nga Berisha ndryshon drejtimin e rënies së lirë. Kjo nëse Tosi nuk përton siç ai historikisht di të bëjë me klas të pamohueshëm.
Vetëm se përzgjedhja e një emri nuk do të bënte më shumë se shtyrjen e problemit me 5 vite të tjerë. Vota me 71 do të sillte mpirjen lokale të mendjeve tona. Emri do të çonte në një gëzim fillestar prej 5 ditësh, e më pas shqetësimin e një kryeprokurori militant, e më pas një president me Cv të heshtur. Ndoshta Nano do të shfaqet gjëkundi për narçizizëm personal por vetëm kaq.
…
Berisha si llogaritar i mirë fatkeqësish di se nga loja e Presidentit duhet të dalë me një personazh të pëlqyeshëm për ndërkombëtarët. Në një afat të shkurtër t’i shkosh kundër të huajve funksionon, por nëse kjo bëhet pa hesap, shqiptarët të lënë në baltë. Si popull jemi koshientë se jetojmë si jetojmë për shkak të lëmoshave. Ndaj na duhet dhe integrimi, që të futemi brenda derës së Evropës, ku i kemi ngelur prej 20 vitesh, dhe të hapim siç e kemi zakon frigoriferin në shtëpi të huaj. Berisha e di mirë se këtë propagandë ka shpërndarë në çdo cep e derë bashkëkombësi që nga viti 2005. Zaganjori plotëson dy nga tre kushtet. Është i pranueshëm nga të huajt dhe e do Berishën si muzë frymëzimi. E keqja është se nuk është Jozefinë. Jozefina ka një anë pozitive, atë të largimit përgjithmonë nga mundësia për ta sulmuar nga brenda partisë. Por nuk e duan ndërkombëtarët, nuk e do opozita. Nano nuk ka asgjë për të ofruar. Ai nuk mund të jetë një nën-Berishë, nuk e do PS-në, dhe e do vetëm Arvizu. Rrezik që duhet shmangur me takt. Një president që merr përkrahjen e amerikanëve, mund të kthehet dhe të të nxjerrë në pension. Kaq edhe për llogaritë, duke qenë se në thelb janë krejt banale.
…
Ajo që një president duhej të bënte në një botë ideale, do të ishte reforma në drejtësi. Duke qenë se Qeverinë dhe Parlamentin i zgjedhim me votë, e cila na dështon, të paktën shtyllën e tretë ku mbështet shteti ta sigurojmë mbi bazën e një përzgjedhjeje më inteligjente, sesa një president i dalë nga loja me cingla sigurisht, që nuk do të garantonte asgjë më shumë sesa konsolidimin e pushtetit në dorë të pushtetit. Sistemi i drejtësisë edhe sikur mos të ishte presidenti një nga ngatërrestarët, është prej kohësh në fije të perit, duke parë ushtrinë e matrapazëve që e ushqejnë çdo ditë me korrupsion. Ushtrinë e kushërinjve që e devijon sa herë që mundet, të interesave që duket se bindshëm kanë fituar mbi moralin që krijon një shtet, që sa herë flitet për një reformë, tregon se forma aktuale ka dështuar. E nëse kuptojmë se kjo reformë është e kushedi-sata në rradhë, situata është e pashpresë. Përpjekjes qesharake, do t’i shtohet edhe një president qesharak. E sikur të mos mjaftonte, kemi dhe ankth për t’i ditur emrin, seksin dhe CV(sivin).





