Prefekti: – Si t’jua shpjegoj façizmin un ju?Se ju jeni dhe katnar!?A keni honger noiher hallv?po nga ajo e mira, me shum sheqer? Ja ashtu osht dhe façizmi…. . -Këto janë frazat që më vinë në mend nga komedia “Prefekti” e para shumë vitesh kur shoh reklamën e partisë demokratike për ahengun tallava të 22 Marsit.
Nuk mund të mos dalë para syve të imagjinatës, edhe kapteri i komedisë, kur sheh ushtrinë Shqiptare se si djersitet për të organizuar koncertin festiv të pushtetit. Ushtria e NATOS, me demek, ëndrra e realizuar e Skënderbeut, siç thotë dhe ky Putini turbo-folk që është në krye të ministrave të tij, sot në Shqipëri. Vetëm diktatorët organizojnë paradë me ushtri, e vetëm në diktaturë ushtria organizon koncerte për të kënaqur diktatorin, ashtu siç bënte dhe kapteri i prefektit. Ushtria Shqiptare, kur nuk është duke organizuar koncerte për Saliun apo duke marrë pjesë në koktejet e Jozefinës, është duke u arratisur si Luan Hoxha në Amerikë. Mirë që u futëm në NATO se kushedi si do ishte katandisur NATO pa ne.
Si gjithmonë ndodh në histori, kur diktatorët kanë shumë për të festuar, populli nuk asgjë për të festuar. Ky është dhe rasti i 20 vjetorit të Saliut. Ajo është festa e tij, jo e jona. Për këtë njerëzit që marrin pjesë nuk janë të ftuar, janë të urdhëruar të jenë aty. Kjo sa për të treguar që demokratike partia e Saliut ka vetëm emrin. Demokracinë nuk e solli ai, atë ja dhamë ne, e ai s’na e ktheu më asnjëherë, duke e bërë pronë të veten, ashtu si pronë të veten ka bërë të gjithë pronën publike të ndërtuar nga breza shqiptarësh ndër shekuj.
Saliu vdes për paradë. Si gjithë diktatorët, atë e ngazëllen turma, sepse e bën të ndjehet i pranuar, mes njerëzve të tij ai mund të harroj kështu 97, Gërdecin, 21 Janarin. Diktatorët i adhurojnë turmat, koncertet festive, popullin që shpërfaqet nën këmbët e tyre, adhurojnë t’u flasin turmave, sepse vetëm në këto raste ata mund ti flasin vetes, e jo të flasin me vete (të flasësh me Frangajn, prapë është sikur po flet me vete duke pasur parasysh rezistencën intelektuale të të sipërpërmendurit).
Si t’jua shpjegoj unë ju façizmin tha prefekti…. ndërkohë që sot çështja është si do e shpjegojmë Demokracinë te brezat që do vinë? Në fillim ishte Saliu, pastaj erdhi demokracia. Sa erdhi demokracia në vend, kryetari i opozitës u fut në burg, pastaj Saliu krijoj një sistem që ja vodhi gjithë paratë shqiptarëve, ata u rebeluan, Shqipëria u dogj, erdhi Nano në pushtet, po Saliu ishte akoma aty!! Më pas iku Nano, që e kishte futur në burg Saliu, erdhi prapë Saliu i cili pasi hodhi në erë një fshat e vrau 26 vetë, vazhdoi të rrinte në pushtet. Befas më pas u bë shok me Nanon, që e kishte futur në burg, po ky i fundit e fali për të mirën e vendit. Ndërkohë vendi vetëm të mira nuk kishte, e meqë këta shqiptarët nuk e kuptuan mirë demokracinë, para një viti, për ekzaktësi me 21 Janar, Saliu i demokracisë vrau katër protestues me duar në xhepa, po prapë ai është në pushtet, e ka pak më pak se gjysma e kohës që ka qenë Enveri, ai diktatori i keq….
Në këtë pikë vështirësohet pak shpjegimi. E tha edhe Ramiz Alia, në atë takimin me studentët, “janë disa gjëra që nuk i kuptoni ju”, po studentët nuk e pyetën dhe e hodhën nga pushteti. Për këtë arsye duket shumica prej tyre nuk ishin të ftuar në mitingun aheng të demokracisë!!! Lëre fare, më mirë shpjegimi me hallvën, i cili është edhe brenda kontekstit, sepse festa e demokracisë përkohi dhe me ditën e hashures, që njihet ndryshe dhe si hallva e demokracisë. Për këtë arsye Ilir Meta është akoma sot e kësaj dite duke lëpirë gishtat nga hashurja e korrupsionit që ja serviri Saliu në pjatë të argjendtë bashkë me pushtetin absolut mbi 80 mijë vota shqiptarësh që shpresojnë më kot ta ngjyejnë dhe ato ndoshta një ditë, qoftë e afërt, gishtin e vogël në këtë hashuren e madhe të pushtetit.
Ka dyshime nëse Sulltan Novruzi, kur shpiku ditën e hashures, kishte parasysh pushtetin e Saliut, por nuk ka asnjë dyshim që Saliu kishte parasysh hashuren kur mendoi për herë të parë të bëhej diktatori demokrat i shqiptarëve e ta ëmbëlsonte gojën sa herë të kishte mundësi me këtë pushtet hyjnor që e ruan sot me armët e gardistëve dhe me televizionet e biznesmenëve të afërt me të.
Se si duket kur mendon që po feston 20 vjet demokraci e akoma nuk janë organizuar një herë zgjedhje të lira e të pavjedhura, që gjykatat nuk dhanë drejtësi asnjëherë, që garda e shtetit vret në mes të rrugës, që pushteti i parasë dhe i politikës është vetëm në disa duar, që një milion shqiptarë nuk marrin dot mjekime dhe ilaçe, që çereku i tyre janë në kushte urie, e pjesa tjetër sa mezi e shtyn ditën…Si t’jua shpjegoj façizmin unë, se ju jeni dhe katnar…tha Robert Ndrenika, në rolin e Qazim Mulletit te komedia e para shumë kohëve me titull “Prefekti”.





