Iluzioni i jetës së përjetshme

Andi Kananaj

Iluzioni i përjetësisë duket se kapluar për së gjeri e së gjati mendjet e politikanëve shqiptarë me pushtet të sigurt. Me shapkën mbi sy dhe historinë në xhep, çunat po sillen si më të mirët e kohës. Nga Qerosi tek Herakliu, nga Muji tek Gilgmeshi, e Melkari fenikas duhet që të kalonin disa sfida për të mbërritur tek monotonia totale e jetës së përjetshme. Këto sfida duket se i kanë entuziazmuar, dhe i kanë frymëzuar heronjtë tanë televizivë. Të bindur se ajri i pastër, ecjet në mal dhe zgjedhjet e manipulueshme do t’i bëjnë të qëndrojnë pa iu dridhur qerpiku edhe për 200 vjet aty ku janë, djemtë me pozitivitet ekstrem kanë vënë pasuri që nuk ia priste mendja njeriu. Miliona euro, deri sa euro të jetë tharë e plakur, ndoshta varrosur nga 100 kriza euroje (nëse ia hedh kësaj të parës).

Por në cilin moment të historisë së Shqipërisë pasuria është trashëguar në më shumë se tre breza? Në asnjë moment. Asnjëherë. Në të gjitha rastet pasuria është vënë nga burra të fortë, komandantë ushtrish plot lavdi, pashallarë të bindur ose jo ndaj regjimeve. S’ka rëndësi se ku u mbush bankomati historik. Fakt është që mbushja u harxhua si u harxhua me këpucë, fustane e byrek vetëm për një brezni. Koha tjetër rezultoi në mallkim për brezat që pasuan, për më tepër të rritur me idenë se jeta e tyre ishte e shkruar si një përrallë me blerje on-line.

Trashëgimia në fjalë nuk u realizua as në familjen e Hoxhës, njeriut që, ndonëse për pak kohë, shumë vetë besuan se të paktën ai kish ecur më shumë se maratonomaku i legjendës. Nuk ndodhi. Familja e tij u urrye, pa apel. E shoqja dhe i biri u burgosën me të njëjtin model që ai kishte përdorur për të burgosur familjet e kundërshtarëve të tij. Kafet e papaguara u paguan si të ishin male me ushqim. Ai ushqim që u mungoi të gjithëve. Si sot. Si malet me ilaçe që mungojnë në spitale.

Historia burrat e fortë i dënon edhe pas vdekjes. Asnjë nuk ka ditur të jetë me fitim në këtë garë hakmarrjesh dhe kjo ka funksionuar paçka mosbesimit fillestar. Kompensimi në kohë ka qënë efikas si një orë zvicerane e sajdisur nga dorë zanatçiu. Ka trokitur sa herë ka kaluar koha e mjaftueshme, dhe gjithçka ka filluar nga fillimi. Si film i parë, por që askush s’ia kujton mirë skenarin. Për popujt e tjerë, kaq memorie do të kishte qenë e mjaftueshme që të mos përsëritej historia pafundësisht.

Ndërkohë që ne jemi fansa të përsëritjes. Mbase sepse e perceptojmë si mëmë të dijes. Të asaj dijeje që nuk vjen vetëm, por gjithmonë e shoqëruar me plumba.

Kush është barbari? Ai që përfiton, apo ai që lodhet nga ky përfitim dhe e kthen mbrapsht historinë? Kanë faj fëmijët e Bulqizës që nesër do të sulen verbërisht kundër kujt u vodhi fëmijërinë dhe i ngarkoi çdo ditë me 100 kg krom, nga toka me e ëmbël, ajo ku dhe mjalti gjen konkurrencë? Ka faj sfinksi që kur t’i mbarojë fryma do të pendohet pse është bindur pa fund, në një jetë ku të tjerët nuk ngrenë gurë që në fëmini? I kujt do të jetë faji kur të fillojnë të priten kokat? I atit të një biri që u dogj para derës të shtëpisë duke luajtur me biçikletë, teksa priste prej vitesh që gjyqtarët të vendosnin siç thotë ligji? Dhe kur gjyqtarët të vendosin, faji përfundimisht t’i mbetet ligjit? I kujt do të jetë faji kur ky burrë të fillojë të qëllojë meqë ligji i mbrapshtë nuk dënon?

Kush do të jetë barbari? Kush do të ankohet për pronat e gjyshit pasi t’ia marrin në emër të skamjes? Për pasurinë e hajdutit të rëndomtë të tenderave, atij që në vitet e tranzicionit vodhi që nga pilafi i ushtrisë deri te lapsat, në majën më humbur të maleve pa majë? Nga demontimi i armëve tek çmontimi i puplave të dyshekëve diplomatikë? Kush do të ankohet, se po i merren me apo pa të drejtë pasuritë që një gjysh dosido i përfitoi duke vjedhur aspirinat e fëmijëve të një shkolle tetë-vjeçare?

Kush do të jetë barbari, ditën kur do të ndodhë?

5 e pelqejne kete postim.