Çlironi 1%-ëshin!

/Paul Mason/

Çfarë do të ndodhë me 1%- ëshin? Do të bëhen më të varfër e prandaj më të lumtur. Sepse është e vështirë të jesh i pasur.

Në Australi shikon gra të 1%- ëshit duke vrapuar çdo ditë nga plazhi Bondi deri në Tamarama, të veshura me streçe të lira, por që bëhen të shtrenjta ngaqë kanë mbishkrime me – çfarë tjetër?! – germa ari. Ideologjia e tyre u thotë se është veçantia e tyre që i ka bërë të suksesshme, megjithëse ngjajnë dhe sillen njëlloj.

Ndërkohë që rruzulli rrotullohet, nëpër palestra gjysmë-të ndriçuara nga drita e agut në mesin e lartësisë së qiejgërvishtësve të Shangait dhe Singaporit, gjenden biznesmenë që djersijnë mbi makinat e vrapimit duke i paraprirë ditës kur do të konkurrojnë me njerëz identikë me ta. Të kamurit e Azisë Qendrore të rrethuar nga truproja, fillojnë një ditë të re për të zhvatur botën.

Mbi gjithçka, në kabinat e klasit të parë të fluturimeve ajrore të gjata qëndrojnë pezull elitat globale, fytyrat e tyre të ngërthyera nga një vrenjtje të kthyer në zakon duke vështruar ngultas mbi laptopët e tyre. Ata janë imazhi i mishëruar i asaj se çfarë supozohet se duhet të jetë bota: të arsimuar, tolerantë, të kamur. Megjithatë ata janë të përjashtuar nga ky eksperiment madhor në komunikimin social që po vë në jetë njerëzimi.

Vetëm 8% e CEO-ve në Amerikë kanë një profil real në Twitter. Sigurisht që një vartës i tyre mund të menaxhojë një të tillë, por për shkak të rregullave në hartimin e dokumenteve financiare dhe për shkak të sigurisë në rrjet, profilet në rrjetet sociale të të fuqishmëve nuk mund të jenë kurrsesi reale. Kur vjen puna tek idetë, ata mund të kenë çfarëdolloj ideje të duan për aq kohë sa i përshtatet doktrinës neoliberale: se më të mirët fitojnë për shkak të talentit të tyre; se tregu është shprehja sipërore e racionalitetit; se punëtorët në botën e zhvilluar janë dembelë; se taksimi i të pasurve është i kotë.

Të bindur se vetëm të shkathëtit ia dalin të jenë të suksesshëm, ata i dërgojnë fëmijët në shkolla të shtrenjta private për të mprehur individualitetin e tyre. Por ata dalin prej andej të njëjtë: versione të vogla të Milton Friedman-it dhe Christine Lagarde-ës. Ata shkojnë në universitete prestigjioze, por emrat madhështorë të stampuar mbi bluzat e tyre – Harvard, Cambridge, MIT – nuk do të thonë asgjë. Në vend të tyre fare mirë mund të shkruhej Universiteti Standard Neoliberal. Stampa mbi bluzë është vetëm një lejekalim në këtë botë kotësie.

Nën të gjithë këtë përpëlitet dyshimi. Vetëbesimi i tyre u thotë se kapitalizmi është i mirë sepse është dinamik – por dinamizmi i tij ndihet vetëm aty ku ka krah të lirë pune me bollëk, demokraci të ndrydhur – dhe ku pabarazia është në rritje. Të jetosh në një botë kaq të ndarë, të dominuar nga miti i veçantisë por në fakt kaq uniforme, vazhdimisht me frikën se do të humbasësh gjithçka, është – dhe nuk po tallem – e vështirë.

Dhe për t’i vënë kapakun, ata e dinë se sa pranë kolapsit erdhi situata; çdo gjë që ata ende posedojnë u pagua në fakt me paratë e shtetit, i cili i nxori nga vështirësia.

Sot ideologjia e të qenit borgjez në botën Perëndimore do të thotë liberalizëm, përkushtim ndaj artit të rafinuar, ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, dhënie lëmoshe dhe fshehje e pushtetit që zotëron poshtë një çehreje vetëkontrolli të mirëmenduar.

Rreziku qëndron në faktin se me zvarritjen e krizës, përkushtimi i elitës ndaj liberalizmit po avullon. Batakçinjtë e suksesshëm dhe diktatorët e botës në zhvillim po ushtrojnë ndikim dhe po imponojnë respekt: mund ta ndjesh pushtetin e tyre tek je duke ecur nëpër korridoret e disa firmave ligjore, konsulentëve të PR-it dhe vetë korporatave.

Sa kohë do të duhet para se kultura e elitës Perëndimore të devijojë drejt emulacionit të Putinit dhe Xi Jinping-ut? Në disa kampuse universitare mund ta dëgjosh tashmë: ‘Kina tregon se kapitalizmi punon më mirë pa demokracinë’ është kthyer në një temë të zakonshme diskutimi. Vetëbesimi i 1%-ëshit rrezikohet të venitet, për t’u zëvendësuar nga një oligarki e kulluar dhe e shpërfaqur.

Por ka lajme të mira.

99%-ëshi po vjen t’ju shpëtojë.

Postkapitalizmi do ju bëjë të lirë.

E përktheu Redi Muçi

Pjesa është shkëputur nga libri ‘Postkapitalizmi, një udhërrëfyes drejt së ardhmes’ i Paul Mason-it.

Imazhi: Alvin Mahmudov / Unsplash

11 e pëlqejnë këtë postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *